Sporti

Drenica synon titullin e parë historik në futsall, Deliu: E respektojmë kundërshtarin, por duam fitoren

06/04/2025 17:09
nga:Mergim Rreci

Nesër, me fillim nga ora 21:00, zhvillohet ndeshja e dytë finale në futsallin kosovar.

Drenica dhe Prishtina 01, do të përballen në Palestrën ‘Ilaz Kodra’, shkruan GazetaBlic Sport.

Skuadra nga Skenderaj e ka fituar ndeshjen e parë me rezultat 1 me 4, dhe nëse fiton edhe nesër, atëherë do të jetë kampione e re.

Pritet një organizim i madh dhe një atmosferë fantastike, ashtu siç ka qenë gjatë gjithë edicionit në ndeshjet e kësaj skuadre.

Në një prononcim për ‘GazetaBlic Sport’, njëri nga lojtarët me shumë përvojë në futsallin tonë, Diar Deliu, tha se e kanë motivin maksimal për ta fituar titullin e parë kampion me Drenicën.

Deliu e vlerësoi kundërshtarin, poashtu ftoi tifozët dhe qytetarët e Skenderajt, të bëhen pjesë e kësaj finale fantastike.

“Ndeshja e parë me Prishtinën 01 ka qenë shumë e vështirë, megjithatë ne arritëm që me angazhim e motivim maksimal të marrim fitoren e parë. E dimë që asgjë nuk ka përfunduar, dhe motivimin e njëjtë duhet ta kemi edhe nesër, për t’ia sjellë Drenicës titullin e parë në histori. Prishtina 01 ka ekip me përvojë, megjithatë besojmë që me përkrahjen e Shqiponjave të Zeza që i kemi pasur gjithmonë prapa, të arrijmë fitore. I ftoj të gjithë tifozët nesër në palestër, për anim korrekt, siç kanë bërë gjithmonë, dhe përkrahje maksimale ndaj skuadrës tonë“, deklaroi Deliu.

/GazetaBlic Sport/