Sporti

Drenica – Prishtina 01, gjithçka gati për ndeshjen e parë finale në Superligën e futsallit

06/02/2026 23:58
nga:Mergim Rreci

Gjithçka është gati për nisjen e serisë finale të Play-Offit në Superligën e Kosovës në futsall, ku dy skuadrat më të mira të sezonit, Drenica dhe FC Prishtina 01, do të përballen në ndeshjen e parë të finales.

Takimi i parë do të zhvillohet të premten, më 5 qershor 2026, duke filluar nga ora 21:00 në palestrën ‘Ilaz Kodra’ në Skenderaj, aty ku pritet një atmosferë elektrizuese dhe mbështetje e madhe nga tifozët vendas, shkruan GazetaBlic Sport.

Drenica vjen në këtë finale pas një ecurie të shkëlqyer gjatë sezonit dhe synon të shfrytëzojë faktorin fushë për të hedhur hapin e parë drejt titullit kampion. Në anën tjetër, Prishtina 01 e dëshmoi epitetin e skuadrës kampione në gjysmëfiinale ndaj Liqenit, duke dhënë sinjale të forta para aktit të fundit.

Përballja mes këtyre dy skuadrave pritet të ofrojë spektakël, rivalitet dhe emocione të mëdha, ashtu siç këto elemente nuk munguan edhe në finalet e vitit të kaluar, atje ku Prishtina 01 ishte shpallur kampione në mënyrë dramatike.

Me titullin kampion në horizont, asnjëra skuadër nuk pritet të lëshojë terren në ndeshjen e parë, e cila mund të jetë vendimtare për rrjedhën e serisë finale.

/GazetaBlic Sport/