Skuadra e Drenicës vazhdon të jetë në krizë të thellë financiare dhe tashmë konfirmohet se merkato e kësaj skuadre është e bllokuar.
Klubi ka shumë borxhe të grumbulluara dhe tashmë duket se gjendja është shumë e rënduar. Për shkak të borgjeve të mëdha, skuadra nga Skenderaj mund t’i zhvillojë ndeshjet me të rinjtë e klubit, në edicionin e ardhshëm.
Trajneri i kësaj skuadre, Tahir Lushtaku tha për ‘GazetaBlic Sport’, se klubi vazhdon të jetë në një situatë të vështirë dhe se nuk ka ndonjë sinjal që gjërat po përmirësohen.
Ai poashtu e konfirmoi se klubi ka merkaton e bllokuar, kjo për shkak të obligimeve nga futbollistët që kanë veshur fanellën e kësaj skuadre në edicionin e kaluar.
“Që nga përfundimi i kampionatit, klubi është në një krizë të thellë financiare, me problemet e mëdha që po na shoqërojnë. Duket shumë e vështirë që kjo situatë të kalojë dhe deri më tani nuk ka asgjë konkrete në këtë drejtim. Ne si staf i trajnerëve jemi me 5 rroga minus të papaguara, kurse borxhe ka edhe ndaj futbollistëve. Merkato është e bllokuar, kjo për shkak të lojtarëve kryesisht nga Shqipëria dhe jashtë saj, të cilët kanë paraqitur ankesat e tyre”, tha ndër të tjera Lushtaku.
Kujtojmë se Drenica së bashku me Prishtinën janë dy skaudrat që nuk janë larguar asnjëherë nga elita.
/GazetaBlic Sport/


