Zyrtarët e Manchester City- t thuhet se kanë mbajtur një takim me babanë e Rodrygo -s në përpjekje për të bindur brazilianin që të kalojë te Citizens sezonin e ardhshëm.
Lajmi u bë i ditur në programin televiziv spanjoll El Chiringuito, transmeton GazetaBlic Sport.
Takimi do të jetë zhvilluar tashmë më shumë se dy javë më parë dhe anglezët do t’i kenë propozuar Rodrygo-s një pagë më të lartë se ajo që merr aktualisht. Më tej, raportohet gjithashtu se braziliani do të përdorej në të majtë të sulmit, diçka që do t’i pëlqente, por që është e vështirë për t’u arritur te Real Madrid, për shkak të Vinicius Junior dhe Kylian Mbappe , të cilët natyrshëm e zënë atë zonë të fushës.
Për skuadrën e Pep Guardiolës, Rodrygo do të ishte një përforcim i madh për të plotësuar një rol ku Jack Grealish (dy gola këtë sezon) dhe Jeremy Doku (gjashtë gola) nuk kanë performuar aq mirë sa duhet. Për krahasim, Rodrygo ka 14 gola dhe tetë asistime në të gjitha garat këtë sezon.
Operacioni duket i vështirë për Manchester Cityn, i cili nëse arrin të bindë lojtarin, do të duhet të bëjë të njëjtën gjë me Real Madridin. Rodrygo ka një kontratë me Los Blancos deri në vitin 2028 dhe një klauzolë përfundimi, sipas shtypit spanjoll, prej një miliardë eurosh.
Në moshën 24-vjeçare, braziliani është në sezonin e tij të gjashtë radhazi në Real Madrid, ku tashmë është vendosur si një nga figurat më të domosdoshme në skuadrën e Carlo Ancelottit.
Në Spanjë, Rodrygo ka fituar tashmë 13 trofe, duke përfshirë tre tituj të La Ligas dhe dy tituj të UEFA Champions League .
/GazetaBlic Sport/