Lajme

Drejtori për Zgjerim i BE-së: Kosova është pjesë e familjes evropiane

05/17/2023 16:42
nga:Genita C

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se anëtarësimi i Kosovës në Bashkimin Evropian është i pa alternativë.

Ai në takimin që ka zhvilluar të mërkurën me Drejtorin e Përgjithshëm për Fqinjësi dhe Negociatat e Zgjerimit të BE-së, Gert Jan Koopman, tha se dorëzimi i aplikimit për anëtarësim në BE dhe ai për në Këshillin e Evropës janë dëshmi e përkushtimit të Kosovës për të qenë pjesë e familjes së madhe evropiane.

“Në dhjetor të vitit të kaluar kemi dorëzuar aplikimin për anëtarësim në Bashkimin Evropian kurse këtë vit kemi vendimet për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës dhe kalimin e fazës së parë për anëtarësim në Këshillin e Evropës, e që janë dëshmi e qartë e përkushtimit të Kosovës për integrim e progres”, thuhet në komunikatën e Qeverisë.

Sipas komunikatës, mbështetje Kosovës për anëtarësimin në BE i ka dhënë edhe zyrtari i BE-së.

“Koopman tha se Kosova është pjesë e familjes evropiane. Ai e përgëzoi Kosovën për reformat dhe theksoi nevojën e përshpejtimit të tyre dhe nevojën për të ndjekë integrimin ekonomik të rajonit dhe integrimin në tregun ekonomik të Bashkimit Evropian”, thuhet në komunikatë.