Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në rastin ku dy vëllezërit Dragisha e Jovan Viqentijeviq, dhe i akuzuari tjetër Igor Dimoviq, ngarkohen lidhur me akuzën për sulmin në kanalin e Ibër-Lepencit në Varagë të Zubin-Potokut, të hënën u dëgjua drejtori në Departamentin “Uji dhe Gjenerimi” në Ibër-Lepenc, Ernest Kërçeli, i cili deklaroi se dëmi i shkaktuar nga sulmi kalon shumën 376 mijë euro. Kurse, Fatmir Ademi- ekspert i ADN-së në Agjencinë e Kosovës për Forenzikë deklaroi se mostrat e gjurmëve përputheshin me të akuzuarit Viqentijeviq.
“Dëmi është mbi 376 mijë euro”, tha dëshmitari Ernest Kërçeli, njëkohësisht përfaqësues i palës së dëmtuar, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Kërçeli ndër të tjera gjatë dhënies së dëshmisë deklaroi se dëmi ka qenë jashtëzakonisht i madh dhe se Ndërmarrja Ibër-Lepenci nuk është ballafaquar më herët këtë lloj të dëmit.
Dëshmitari tha se për shkak të efikasitetit dhe shpejtësisë së zgjidhjes së përkohshme atë natë që ka ndodhur dëmi, nga ana e punëtorëve të Ndërmarrjes Ibër-Lepenci është arritur që dëmi të mos shkojë në përmasa edhe më të medha.
Ai shtoi se vlerësimin e dëmit e kanë mbështetur në lidhje me raportin për dëmin- të përpiluar nga Banka Kombëtare e Kosovës dhe se për të rikthyer gjendjen e mëparshme është dashur që për 1 muaj të punohet me 3 ndërrime të punës.
Ernest Kërçeli tha se në momentin kur është njoftuar për shpërthimin, ka qenë në Gjilan dhe ka ardhur pas përafërsisht dy orëve dhe se në vend të ngjarjes ka gjetur forcat policore, KFOR-in, punëtorët e ndërmarrjes dhe ekipin hetues të cilët kanë qenë duke marrë mostrat në vendin e ngjarjes.
I pyetur që nëse nuk ishte marrë veprimi i zgjidhjes së përkohshme në ditën e parë të shpërthimit sa do të ishte shkaktuar dëm, dëshmitari Kërçeli deklaroi se do të prekeshin të gjithë qytetarët e Kosovës, për shkak të dëmeve që do të shkaktoheshin në QKUK, Termokos dhe KEK.
“Dëmi kishte me qenë shumë i madh për të gjithë qytetarët e Kosovës. Rrymë nuk do të kishim pasur dhe as linja telefonike. Qytetarët e Prishtinës nuk do të kishin mujt m’u nxeh prej Termokosit. QKUK-ja nuk do të kishte me pas energji elektrike, nxemje dhe ujë. Ndalja e menjëhershme e Termocentralit B do të shkaktonte pasoja të mëdha në anën infrastrukturore të KEK-ut”, u përgjigj, Kërçeli.
Pastaj, seanca gjyqësore vazhdoi me dhënien e dëshmisë nga dëshmitari Fatmir Ademi, i cili tha se prej vitit 2005 është ekspert i ADN-së pranë Agjencisë së Kosovës për Forenzikë.
Ademi deklaroi se në mostrat e kontrolluara manualisht janë gjetur shenja të ADN-së që përputhen me të akuzuarit Jovan dhe Dragisha Viqentijeviq.
Dëshmitari po ashtu ndër të tjera shtoi se raporti forenzik është kryer edhe nga një laborator në Romë dhe gjetjet e atyre kanë qenë në përputhje me laboratorin në Prishtinë duke mos pasur asnjë kundërthënje.
Ademi deklaroi se gjurmët më të mëdha janë gjetur për të akuzuarin Jovan Viqentijeviq, sipas tij, nga 24 gjene që janë gjetur në fitilin kabllo-ndezës me gjatësi 9 metra, shenjat e Jovanit janë gjetur në 20 vende.
Seanca më pas u ndërpre për të vazhduar një ditë tjetër.
Në këtë rast, për sulmin në kanalin e Ibër-Lepencit akuzohen dy vëllezërit Dragisha e Jovan Viqentijeviq, dhe Igor Dimoviq.
Ndryshe, në seancën fillestare më 24 dhjetor 2025, mbrojtësi i të akuzuarit Jovan Viqentijeviq, avokati Nebojsha Vllajiq kërkoi përjashtimin e prokurorit special Bekim Kodraliu. Kërkesën e tij e përkrahën edhe mbrojtësit e dy të akuzuarve tjerë Për këtë arsye, ajo seancë ishte ndërprerë.
Por, Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), Blerim Isufaj, kishte refuzuar kërkesën e mbrojtjes për përjashtimin e prokurorit Kodraliu nga kjo lëndë. Andaj, në seancën e mbajtur më 16 shkurt 2026, tre të akuzuarit u deklaruan të pafajshëm për akuzën që iu vihet në barrë.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) më 9 dhjetor 2025 ka ngritur aktakuzë ndaj vëllezërve Dragisha e Jovan Viqentijeviq, dhe ndaj Igor Dimoviq, të cilët ngarkohen për sulmin e 29 nëntorit 2024 në kanalin e Ibër-Lepencit në Varagë të Zubin-Potokut.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë që ka siguruar “Betimi për Drejtësi”, vëllezërit Dragisha dhe Jovan Viqentijeviq më 29 nëntor 2024, rreth orës 18:50, ne fshatin Varagë, Komuna e Zubin Potokut, kanë vendosur eksploziv në pjesën e kanalit të “Ibër Lepenc”, infrastrukturë publike e cila shërben për furnizimin me ujë të pijshëm dhe nevoja të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) për prodhim të energjisë elektrike.
Në aktakuzën të cilën e ka ngritur prokurori special Bekim Kodraliu, thuhet se të akuzuarit, së bashku me disa persona të tjerë ende të panjohur, pas një marrëveshje paraprake, me qëllim të frikësimit serioz të popullsisë së vendit dhe rrezikimit të rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës se Kosovës, e kanë vendosur një sasi të konsiderueshme të eksplozivit që shërben për përdorim ushtarak, (rreth 20 kilogram te llojit Trinitrotoluene “TNI”) në brendësi të kanalit.
Këtë, sipas PSRK-së e kanë bërë përmes një çante të cilën e kishin lidhur me litar në një shtyllë betoni, duke e pozicionuar në atë mënyrë që të shkaktojë dëmtim serioz të infrastrukturës kritike të furnizimit me ujë dhe me energji elektrike, ku me atë rast të pandehurit përmes ndezjes së një fitili zjarr-përcjellës me ndezje të ngadalshme e kanë aktivizuar lëndën shpërthyese duke shkaktuar një shpërthim të fuqishëm që si pasojë është dëmtuar rëndë struktura e betonit e kanalit të “Ibër Lepenc”.
E kjo, në aktakuzë thuhet se kishte shkaktuar ndërprerje furnizimi me ujë të pijshëm për qytetarët e disa komunave veriore dhe qendrore te Kosovës, është penguar furnizimi me ujë për KEK-un, si dhe kanë rrezikuar edhe prodhimin e energjisë elektrike në nivel vendi.
Me këto veprime, sipas Prokurorisë, të akuzuarit kanë shkaktuar një rrezik serioz për jetën dhe sigurinë e popullsisë dhe dëmtimin e infrastrukturës kritike të shtetit, ku në këtë rast të dëmtuarës- Ibër Lepencit i janë shkaktuar dëme materiale në vlerë prej 376 mijë e 774 euro e 70 centë.
Kështu, ata akuzohen se në bashkëkryerje e kanë kryer veprën penale “Rrezikimi i rendit kushtetues me shkatërrimin apo dëmtimin e instalimeve dhe pajisjeve publike” nga neni 122 lidhur me veprën penale “Kryerja e veprës terroriste” nga neni 129. par.1 dhe neni 128, par.1, nënpar.1.8 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal.
Kurse, në pikën 2 të aktakuzës, vëllezërit Viqentijeviq akuzohen edhe për armëmbajtje pa leje. Sipas aktakuzës, nga data e pacaktuar e deri me arrestimin e tyre, në shtëpitë e tyre, njëra në Zubin Potok, dhe tjetra në fshatin Prevllak, të po kësaj komune, gjatë kontrolleve të bëra nga ana e Policisë së Kosovës, u janë gjetur në posedim një sasi e konsiderueshme e armatimit luftarak.
“Si armë të llojit kallashnikov A-47, një numër të granatave të dorës BRM 75 dhe zolla, 500 fishekë 7.9 mm dhe 363 fishekë të kalibrave të ndryshëm, karikator të shumtë të armës AK 47 dhe pjesë te tyre, thika për armë të gjata, karikator pushke, mekanizëm për mbushjen e fishekëve të pushkës së gjuetisë MK-16, pushkë gjuetie, thike me këllëf, radiolidhje të shumta për përdorim ushtarak, maska, uniforma te shumta ushtarake të vendeve të ndryshme si ato të Serbisë, Rusisë dhe te shteteve tjera, helmeta dhe gjësende tjera te kundërligjshme”, përshkruhet në aktakuzë.
Të gjitha këto, thuhet se janë sekuestruar nga Polica në vendin e ngjarjes.
Me këtë, ata ngarkohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366, par.2 lidhur me par.1 dhe nenin 31 të Kodit Penal.
Në pikën 3 të aktakuzës, thuhet se i akuzuari Jovan Viqentijeviq nga data e pacaktuar e në vazhdimësi, e deri në momentin e arrestimit të tij, më 1 dhjetor 2024, i pandehuri në cilësinë e të rekrutuarit në Shërbimin Ushtarak të Serbisë, me gradën kolonel, ka vepruar dhe e ka ndihmuar këtë shërbim, duke mbledhur informacione dhe dokumente të klasifikuara me qëllim që t’i përdorë gjatë aktivitetit të tij të kundërligjshëm në territorin e Kosovës.
Këto informata, sipas aktakuzës, ka pasur për qëllim t’ua komunikojë Shërbimit informativ Ushtarak të Serbisë, përmes vizitave dhe takimeve që i ka realizuar në Serbi me zyrtarët e saj. Këto informacione dhe dokumente, thuhet se i ka siguruar nga aktiviteti i tij i spiunimit.
“Në kuadër te dokumentacioneve, që i pandehuri i ka siguruar gjatë veprimtarisë së tij inkriminuese, janë edhe një dokument i klasifikuar si konfidencial prej 66 faqesh i përpiluar nga KFOR-i, për nevojat e operacioneve të tyre në terren, pastaj ka bërë vëzhgimin e lëvizjeve të ushtarëve amerikanë të KFOR-it, ka fotografuar bazën e Njësive Speciale Policore të Kosovës në Jasenovik që gjendet në Komunën e Zubin Potokut”, përshkruhet tutje në aktakuzë.
Gjithashtu, sipas aktakuzës, i pandehuri me qëllim të krijimit të një narrative të dëmshme për shtetin e Kosovës në raport me bashkësinë ndërkombëtare, Viqentijeviq përmes një dokumenti të modifikuar, ka tentuar ta paraqes ekzistimin e një organizate fiktive kinse për çlirimin e trojeve shqiptare e quajtur si “Komiteti Kombëtar për Lirimin dhe Mbrojtjen e Trojeve Shqiptare“, duke e shoqëruar me disa fotografi të eprorëve të lartë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Me këto veprime, Prokuroria në aktakuzë vlerëson se tani i akuzuari seriozisht e ka dëmtuar rendin juridik dhe sigurinë e Republikës së Kosovës, si dhe ka rrezikuar jetën e zyrtarëve dhe qytetarëve të saj, si dhe ushtarëve te KFOR-it.
Kështu, ai akuzohet se në vazhdimësi ka kryer veprën penale “Spiunazhi” nga neni 124, par. 5 lidhur me par. 4 dhe nenin 77 të Kodit Penal.
Ndërsa, Igor Dimoviq, në pikën 4 të aktakuzës, akuzohet se nga data e pacaktuar deri më 30 nëntor 2024, rreth orës 6:30 në fshatin Varagë të Zubin Potokut, me konkretisht në shtëpinë e tij, me rastin e kontrollit nga ana e Policisë së Kosovës, i janë gjetur në posedim tre karikatorë, një fishek, një thikë dhe disa unifiroma ushtarake, të cilat janë sekuestruar nga Policia në vendin e ngjarjes.
Me këto veprime, Dimoviq akuzohet se ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366, par.1 të Kodit Penal. /BetimipërDrejtësi


