Gjithçka duket bukur nga TV, apo edhe nga shkallët e stadiumit, por dikush punon ditë e natë që fusha në impiantin “Fadil Vokrri” të ketë pamjen e duhur.
Një staf fantastik dhe shumë profesional janë ata që përkujdesen për mirëmbajtjen e fushës së stadiumit në fjalë.
Drejtori i këtij stadiumi, Benet Rezniqi shpalosi informacione në një kronikë të përgatitur nga GazetaBlic Sport.
“Fusha duhet të mirëmbahet gjatë gjithë vitit, natyrisht në stinën e pranverës është pak puna më e komplikuar për shkak të kushteve klimatike. Gjatë vjeshtës dhe dimrit relaksohet puna, por gjatë pranverës duhet punuar edhe për dimër për shkak se duhet që të punohet shumë mbi dëmtimet që shkaktohen në të. Fusha duhet të jetë gati ashtu siç kërkohet nga UEFA. Stadiumi nuk mund të kositet menjëherë në 2.7 ose 2.8, por kjo shkon me milimetra. Megjithatë, në ndeshje ndërkombëtare ne barin e presim në lartësi 2.8. Punë ka, në pranverë fusha kositet dy herë në ditë, paradite dhe pasdite. Janë katër persona që merren me punën e fushës, por merrren edhe me punët e tjera“, tha fillimisht Rezniqi për GazetaBlic Sport.
Më pas ai tha se me profesionalizmin që kanë në punë mund të krahasohen pa asnjë problem me shtetet e rajonit.
“Me këta djemë që janë këtu dhe që e punojnë barin, ne mund të shtyhemi me shtetet rreth nesh pa asnjë problem. Me kushtet që kemi dhe me punen që bëjmë jemi të gatshëm për çdo test të mundshëm“, përfundoi Rezniqi


