Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, kolonel Gazmend Hoxha, së bashku me stafin e lartë menaxhues, priti në një takim zyrtar znj. Kara Rose, Këshilltare e Lartë Policore në INL DC, e cila u shoqërua nga ekipi lokal i INL-it në Kosovë.
Takimi u fokusua në shkëmbimin e informacioneve mbi situatën aktuale të sigurisë, sfidat me të cilat përballet Policia e Kosovës dhe kapacitetet institucionale në fushën e zbatimit të ligjit. Këto të dhëna janë të rëndësishme për vlerësimin që INL-Kosova po realizon lidhur me krimin e organizuar transnacional (TOC) dhe funksionimin e mekanizmave të sundimit të ligjit në vend.
Ky takim shënoi fillimin e një serie takimesh të planifikuara ndërmjet palëve, me synim forcimin e bashkëpunimit dhe përkrahjes për institucionet e rendit dhe të drejtësisë në Kosovë. Të dyja palët u dakorduan të vazhdojnë me takime në nivele të tjera, të cilat pritet të kontribuojnë pozitivisht në procesin e vlerësimit që INL po zhvillon në vend.


