Lajme

Drejtori i Policisë së Kosovës priti në takim ambasadorin amerikan

05/13/2022 22:11
nga:Arsim Buxhovi

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti, ka pritur sot në takim ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey M. Hovenier.

Siç bëhet e ditur në njoftimin e policisë, ky takim ishte njohës pasi ishte i pari mes drejtorit të policisë dhe ambasadorit amerikan.

“Fillimisht, z. Mehmeti falënderoi ambasadorin Hovenier për vizitën e realizuar në Policinë e Kosovës dhe theksoi bashkëpunimin e vazhdueshëm mes Ambasadës së ShBA-ve me PK-në. Z. Mehmeti i dëshiroi punë të mbarë dhe suksese Ambasadorit në detyrën e tij si Shef i Misionit si dhe i falënderoi taksapaguesit e ShBA-ve për mbështetjen e palëkundur për Policinë e Kosovës”, thuhet në komunikatën për media.

“Ambasadori amerikan z. Hovenier, falënderoi për pritjen e organizuar dhe potencoi se rendi dhe qetësia publike dhe sundimi i ligjit janë shumë të rëndësishme për funksionimin e demokracisë së një vendi”, thuhet tutje në komunikatë.

Ambasadori amerikan bëhet e ditur se ka shprehur përkushtimin e tij për bashkëpunim dhe mbështetje të vazhdueshme me qëllim të avancimit dhe profesionalizmit të Policisë së Kosovës.

“Në takim u diskutuan edhe tema konkrete me fokus në komunitetet pakicë, avancimin e shkathtësive në fusha operacionale, menaxhimin e ndryshimeve, unifikimin e policisë dhe rolin qenësor që Policia ka për të ardhmen e Kosovës”.