Lëvizja e lirë e kosovarëve në Evropë, çdo ditë e më shumë po mbështetet nga të huajt.
Në një postim në twitter, redaktori i Radio Evropa e Lirë, Rikard Jozwiak, njoftoi se drafi i fundit të Këshillit të Evropës, thotë se është vendosur që t’i jepet statusi i vendit kandidat Ukrainës e Moldavisë, ndërkaq përmes një “retweet”, Florian Bieber, drejtor i BIEPAG, tha se një gjë e tillë duhet të bëhet edhe për Bosnjën e Kosovën si dhe kësaj të fundit t’i hiqen edhe vizat.
“Drafti i fundit i #EUCO thotë se “Këshilli Evropian ka vendosur t’i japë statusin e vendit kandidat për #Ukrainë dhe për Republikën e #Moldavisë”. Gjithashtu vërehet se këshilli do të vendosë për hapat e mëtejshëm, pasi të plotësohen plotësisht të gjitha kushtet e përcaktuara nga komisioni”, ka shkruar në twitter, redaktori i Radio Evropa e Lirë, Rikard Jozwiak.
“Fillim i mbarë, bëjeni edhe Bosnjën kandidate, hiqni vizat për Kosovën dhe kapërceni bllokadën bullgare. Pastaj deri në fund të vitit, bëjeni Kosovën kandidate dhe filloni bisedimet e anëtarësimit me të gjitha vendet kandidate”, ka shkruar në twitter Florian Bieber, drejtor i BIEPAG, Grupi Këshillues i Politikave të Ballkanit në Evropë, i cili është një grup analistësh dhe studiuesish të politikave nga Ballkani Perëndimor dhe BE.
Kujtojmë se liderët e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor janë ftuar në Bruksel në ditën e parë të Samitit të Liderëve të BE-së, që do të mbahet më 23 dhe 24 qershor.


