Lajme

Drejtori i drejtorisë kundër trafikimit me njerëz në Policinë e Kosovës po hetohet për dhunë në familje

03/14/2024 20:20
nga:G B

Drejtori i Drejtorisë për Hetimin e Trafikimit me Qenie Njerëzore në Policinë e Kosovës, Riza Murati, dyshohet të ketë ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij për çka po hetohet për veprën penale “Dhunë në familje”.

Incidentin, që ka ndodhur këtë javë, për Klan Kosova e ka konfirmuar edhe Inspektorati Policor i Kosovës ku po trajtohet rasti, në bashkëpunim me Prokurorinë e Shtetit.

“Duke ju referuar kërkesës suaj IPK ju konfirmon se është duke trajtuar rastin në fjalë dhe rasti është në fazën e hetimeve preliminare. Të gjitha veprimet në lidhje me rastin janë duke u ndërmarrë në koordinim me Prokurorinë e Shtetit.” – thuhet në përgjigjen e IPK-së.

IPK nuk është përgjigjur nëse kanë propozuar apo marrë ndonjë masë disiplinore ndaj drejtorit të DHTQNj në Policinë e Kosovës, ndërkohë që Klan Kosova po pret përgjigje edhe nga Prokuroria Themelore e Prishtinës për të mësuar veprimet e ndërmarra.