Lajme

Drejtori i CIA-s në Kajro për bisedimet mbi arritjen e një armëpushimi në Gazë

05/04/2024 08:38
nga:Sh R

Hamasi tha të premten se po dërgonte një delegacion në Kajro për të diskutuar mbi arritjen e një armëpushimi dhe lirimin e pengjeve në Rripin e Gazës, disa orë pasi drejtori i CIA-s, William Burns, mbërriti në kryeqytetin egjiptian, sipas burimeve egjiptiane.

Egjipti, së bashku me Katarin dhe Shtetet e Bashkuara, ka udhëhequr përpjekjet për të ndërmjetësuar mnë bisedimet mes Izraelit dhe Hamasit për arritjen e një marrëveshje për një armëpushim në konfliktin që filloi më 7 tetor.

Zyrtarët e Hamasit dhe CIA-s do të takohen me ndërmjetësit egjiptianë të shtunën, tha një burim egjiptian i sigurisë, megjithëse nuk është e qartë nëse ata do të takoheshin veçmas apo së bashku.

Hamasi tha se përfaqësuesit e tij po udhëtonin në Kajro me një “frymë pozitive” pas studimit të propozimit të fundit për një marrëveshje armëpushimi.

“Ne jemi të vendosur të sigurojmë një marrëveshje në një mënyrë që do të përmbushte kërkesat e palestinezëve”, tha grupi militant palestinez përmes një deklarate. Shtetet e Bashkuara e kanë shpallur Hamasin organizatë terroriste.

Një zyrtar amerikan tha se Shtetet e Bashkuara besojnë që ka patur përparim në bisedime, por presin të dëgjojnë më shumë në bisedimet e së shtunës.

CIA nuk pranoi të komentonte, duke reflektuar politikën e saj për të mos publikuar udhëtimet e drejtorit të saj.

Bisedimet për arritjen e një marrëveshjeje armëpushimi kanë vazhduar për muaj të tërë pa një përparim vendimtar. Izraeli ka thënë se është i vendosur të eliminojë Hamasin, ndërsa Hamasi thotë se dëshiron një armëpushim të përhershëm dhe një tërheqje të plotë të Izraelit nga Gaza.

Egjipti bëri një përpjekje të re për të ringjallur negociatat në fund të muajit të kaluar. Kajro është alarmuar nga perspektiva e një operacioni tokësor izraelit kundër Hamasit në Rafah në Gazën jugore, ku më shumë se 1 milionë njerëz janë strehuar në zonën, që ndodhet pranë kufirit me Gadishullin Sinait në Egjipt.

Burimet egjiptiane thonë se të dyja palët kanë bërë disa lëshime së fundmi, duke shënuar një përparim në bisedimet për arritjen e një armëpushimi, megjithëse Izraeli ka vazhduar të thotë se një operacion ushtarak kundër Hamasit në Rafah është i pashmangshëm.

Lufta filloi pasi Hamasi më 7 tetor kreu një sulm në jug të Izraelit, në të cilin, sipas të dhënave të qeverisë izraelite, u vranë 1200 njerëz dhe u rrëmbyen 253 të tjerë.

Më shumë se 34 mijë palestinezë janë vrarë dhe mbi 77 mijë të tjerë janë plagosur në operacionet e ushtrisë izraelite, sipas ministrisë së shëndetësisë në Rripin e Gazës, që kontrollohet nga Hamasi.

Një operacion i madh izraelit në Rafah mund t’i japë një goditje të rëndë operacioneve humanitare në Gaza dhe të rrezikonte shumë civilë të tjerë, sipas zyrtarëve të OKB-së./VOA