Zyrtari i PDK-së, Bekim Çollaku ka theksuar se më në fund Partia Demokratike e Kosovës ka krijuar një stabilitet dhe ka nisur reformat.
Ai në emisionin “Blic Interview” ka theksuar se PDK edhe pse partia më e madhe opozitare në vend, megjithatë numrat e saj në raport me shumicën parlamentare është shumë e vogël.
Çollaku tha se i takon liderit të partisë, Memli Krasniqi që ta bind qytetarin e Kosovës se PDK do të qeverisë më mirë vendin, që PDK është ajo që do t’ia kthejë shpresën qytetarëve të vendit.
”Dhe këtë do ta bëjmë në proces e sipër”, tha ai, raporton Gazeta Blic.
Ai tha se lëshimet dhe gabimet nga qeverisja e kaluar e PDK-së, ka lënë shenja dhe shton ai, megjithatë PDK është e gatshme t’i ofroj vendit një qeverisje të duhur për vendin.
Çollaku ka theksuar se krijimi i Gjykatës Speciale i ka vënë një barrë tepër të madhe Kosovës, dhe se kjo gykatë ka qenë një imponim ndërkombëtar.
Ish- këshilltari i Thaçit ka kritikuar punën e kësaj gjykate, se si tash e sa kohë nuk ka nisur gjykimin ndaj ish- krerëve të UÇK-së.
”Jemi në pritje të nisjes së një gjykimi të gjatë. Ajo që siç po thuhet, dhe duke marrë parasysh që dosja akuzuese përmban rreth 1 milion faqe, atëherë e kemi lehtë ta kalkulojmë edhe një gjykim maratonik. Por ajo që është esenciale, që e vërteta të dalë në shesh”, tha ai, raporton Gazeta Blic.
”Drejtësia për liderët e UÇK-së është drejtësi për të vërtetën e vetme të Kosovës, e që lufta e Ushtrisë Çlirimtare ka qenë e drejtë dhe në shërbim të vendit dhe të qytetarëve të saj”, tha ai.


