Kryetari i Komisionit Parlamentar të Serbisë për Kosovë, Milovan Drecun, ka vlerësuar se zyrtarët perëndimorë nuk duan të dëgjojnë qëndrimet e Beogradit.
Siç theksoi ai, ata mund t’i dëgjojnë, por nuk i respektojnë fare, ndërsa shtoi se plani francezo-gjerman ka hyrë në fazën “merre ose lëre” dhe në të ardhmen i hap rrugën Kosovës për anëtarësim në NATO, përcjellë GazetaBlic.
Një rreth i ri i dialogut të nivelit të lartë ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës është planifikuar për më 27 shkurt në Bruksel.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në Mynih ka folur me Josep Borellin për përgatitjet për bisedime të mundshme me kryeministrin e Kosovë, Albin Kurtin dhe më pas ka theksuar se duhet të diskutohet për formimin e një Asociacionin e Komunave me shumicë serbe.
Drecun vuri në dukje se vazhdimi i mëtejshëm i bisedimeve është i mundur vetëm nëse formohet Asociacioni.
“Nëse është thënë qartë nga ana jonë se pa formimin e Asociacionit të komunave serbe nuk mund të vazhdojë dialogu, nuk mund të diskutohet për planin franko-gjerman, apo evropian. Atëherë si është e mundur që Borell fton një takim të krerëve, kjo do të ishte e mundur nëse mbi tavolinë do të ishte një draft i statutit të Asociacionit, sepse këto janë procedurat e parashikuara në Marrëveshjen e Brukselit”, tha Drecun dhe shtoi se këtu nuk kemi një situatë të tillë.
Siç ka thënë ai, Prishtina ka vendosur disa kushte për formimin e Asociacionit, të cilat janë absolutisht të papranueshme.
Ai tha se kur analizojmë deklaratat e zyrtarëve evropianë dhe amerikanë dhe atë që thotë vetë Albin Kurti, atëherë arrijmë në përfundimin se plani evropian ka hyrë në fazën ku është në tavolinë sipas parimit merre ose lëre.
“Nuk ka më vend për manovrim apo vend për ndonjë ndryshim thelbësor të atij plani. Versioni bazë është shfaqur në shtator të vitit të kaluar, vërejtjet janë bërë nga Beogradi, Prishtina ka shprehur qëndrimet e saj, ka pasur disa korrigjime në fund të vitit. Por tani vetë Kurti po thotë se i është thënë me marrë ose lëre se nuk guxon të ballafaqohet me shtetet .Kur shikon deklaratat e zyrtarëve amerikanë ata thonë se tani duhet vetëm të zbatojnë një marrëveshje që nuk është miratuar ende, ky është plani evropian. Ata duket se mendojnë se çështja ka mbaruar dhe kushdo që refuzon do të përballet me pasojat”, tha ai.
Drecun tha se në bazë të atij plani fillimisht arrihet marrëveshja themelore në të cilën flitet për parimet, që do të thotë se Beogradi duhet ta trajtojë Kosovën si subjekt juridik ndërkombëtar dhe ta trajtojë atë si një lloj shteti.
Më pas, shtoi ai, është folur për nevojën që të diskutohet për vetëqeverisjen e serbëve në Kosovë dhe të zbatohet ajo që tashmë është rënë dakord më herët.
Siç ka thënë ai, në fazën e tretë duhet të arrihet një marrëveshje ligjërisht obligative, e cila ndoshta do të përfshijë edhe pëlqimin e Beogradit për anëtarësimin e Kosovës në OKB.
Drecun thotë se i duket se në këtë fazë përmes planit evropian duan t’i hapin rrugën anëtarësimit në integrimet euroatlantike të Kosovës, para së gjithash në NATO, përcjellë GazetaBlic.


