Kryetari i Komisionit Parlamentar të Serbisë për Kosovën, Milovan Drecun, thotë se “kushdo që angazhohet për pavarësinë e Kosovës, angazhohen për një Shqipëri të madhe”, transmeton Pink.
“Nëse Kosova do të ishte vërtet një shtet sovran, i pavarur, anëtar i OKB-së, do të ishte e drejta e saj sovrane të merrte vendime nëse dëshiron të hyjë në një bashkim me një shtet apo jo. A mund t’i pengojë NATO-ja, duke qenë se Shqipëria është p.sh. anëtare e NATO-s, a mundet SHBA-ja apo BE-ja, nëse kanë vullnet politik. Nuk e shoh atë vullnet politik, pavarësisht deklaratave që vijnë nga zyrtarë se nuk do të ketë bashkim të Kosovës dhe Shqipërisë, por mendoj se është më shumë për të qetësuar opinionin në Serbi”, tha Drecun.
Siç shtoi ai, këtë e thonë edhe ata që shohin rrezik të madh për stabilitetin e rajonit dhe rrezikun e ndryshimeve të dhunshme të kufijve.
“Kushdo që avokon që Kosova të jetë shtet dhe që punon aktivisht drejt saj, padyshim që avokon për një Shqipëri të Madhe. Presidenti shqiptar dhe kryeministri flasin hapur për krijimin e saj dhe bashkimin e Kosovës me Shqipërinë”, tha Drecun.
Sipas tij, anëtarësimi në OKB është parakusht për këtë.
“Deklaratat nga perëndimi se nuk do të ketë bashkim të Kosovës dhe Shqipërisë është një thënie boshe, e cila nuk ka asnjë substancë”, tha Drecun.


