Lajme

Drecun: Anëtarësimi i Kosovës në OKB do të ishte i barabartë me njohjen e pavarësisë

10/12/2022 15:16
nga:Astrit Gashi

I ashtuquajturi kryetar i Komisionit për Kosovë në Kuvendin e Serbisë, Milovan Drecun, ka biseduar sot me deputetin e Parlamentit Evropian dhe anëtarin e Komisionit për Punë të Jashtme, Jean-Lin Lacapelle dhe me atë rast ka thënë se anëtarësimi i Kosovës në Kombet e Bashkuara do të ishin të barabarta me njohjen e pavarësisë.

Drecun ka theksuar se çështja e Kosovës është çështje e rëndësishme kombëtare dhe strategjike, jo vetëm për shtetin e Serbisë, por edhe për mbarë popullin serb. Ai ka treguar se është jashtëzakonisht e rëndësishme të dëgjohet qëndrimi i Serbisë dhe të paraqesë informacione të besueshme dhe një pasqyrë reale të situatës në Kosovë, njoftoi Kuvendi i Serbisë.

Duke folur për kompetencat dhe punën i të ashtuquajturës Komitet për Kosovë, Drecun posaçërisht theksoi se gjashtë vjet më parë është formuar një grup punues për mbledhjen e fakteve dhe dëshmive në zbardhjen e krimeve kundër pjesëtarëve të popullit serb dhe komuniteteve tjera kombëtare në Kosovë, në sajë të të dhënave të të cilit është ngritur aktakuza kundër Hashim Thaçit.

Në bisedë, Drecun ka theksuar se Serbia është e përkushtuar për zgjidhjen paqësore të çështjeve të hapura në Kosovë dhe për gjetjen e një zgjidhjeje kompromisi që do të kënaqë të dyja palët, me respektimin e nevojshëm të së drejtës ndërkombëtare dhe Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

“Në këtë kuptim, propozimi për zgjidhjen e problemit të Kosovës, i cili është dorëzuar nga këshilltarët e presidentit francez dhe kancelarit gjerman, i cili nuk kërkon njohjen e pavarësisë së Kosovës, por kërkon që Serbia të mos kundërshtojë kërkesat për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare, nuk është e pranueshme për Serbinë”, theksoi Drecun, duke treguar se anëtarësimi i Kosovës në Kombet e Bashkuara do të ishte i barabartë me njohjen e pavarësisë.

I ashtuquajturi kryetar i Komisionit për Kosovë po ashtu tha se gjendja e të drejtave të njeriut të serbëve dhe joshqiptarëve në Kosovë është e pakënaqshme.

” Serbët janë të diskriminuar nga institucionet shtetërore në Kosovë,” tha Drecun dhe shtoi se retorika e fortë anti-serbe inkurajon ekstremistët shqiptarë të sulmojnë serbët dhe mbi 160 sulme të motivuara etnikisht ndaj popullatës serbe dhe pronës së tyre janë kryer në 15 muajt e mëparshëm. Jo vetëm që nuk janë krijuar kushtet për kthimin e serbëve në Kosovë, por po frikësohen edhe ata që kanë mbetur atje, për çka nuk ka asnjë reagim nga bashkësia ndërkombëtare, tha Drecun.

Jean-Lin Lacapelle u pajtua se është e rëndësishme të dihet e vërteta për ngjarjet dhe situatën aktuale në Kosovë dhe se ky takim bëri të mundur njohjen më të mirë të fakteve. Ai tha se do të angazhohet personalisht që në Parlamentin Evropian të prezantojë një pasqyrë reale dhe rezultatet e punës së Grupit Punues që ka mbledhur fakte dhe dëshmi në zbardhjen e krimeve kundër pjesëtarëve të popullit serb dhe komuniteteve tjera kombëtare në Kosovë.

Në takim ka marrë pjesë edhe deputeti Jovan Palaliq, ndërsa bashkëbiseduesit kanë deklaruar se Serbia është lidere e rajonit dhe faktor kyç në stabilitetin e Ballkanit Perëndimor. Milovan Drecun vuri në dukje rëndësinë e nismave rajonale, siç është Ballkani i Hapur, i cili tashmë ka dhënë rezultate konkrete.

Drecun dhe Lakapel shkëmbyen mendime edhe për situatën aktuale politike në Evropë, në rrethanat e konfliktit në Ukrainë.