Lajme

Drama në Dragash mes PDK e LDK: PZAP-ja zbulon skemën se si u bë votimi nga diaspora (Dokument)

11/21/2021 19:23
nga:Gazeta Blic

Kërkesa e PDK-së për anulim të plotë të votave të diasporës, u miratua e plotë nga PZAP, duke bërë që edhe njëherë të ndryshonte fituesi i zgjedhjeve në Dragash, nga Bexhet Xheladini (LDK) tek Shaban Shabani (PDK).

Në dokumentet e publikuara nga PAZP, tregohen arsyet në bazë të cilave u anuluan plotësisht votat e diasporës, duke vlerësuar se procesi është dëmtuar deri në atë masë sa ka devijuar vullnetin e shprehur nga qytetarët.

Në dokumentin e PZAP, përmenden raste të veçanta në të cilat qytetarët e regjistruar në një shtet në formularin e regjistrimit të votimit, dërguan pakot me vota nga një shtet tjetër.

Arsyetimi i PAZP

Njëzetëekatër votues të Komunës së Dragashit, që kanë dërguar pako me fletëvotime nga jashtë Kosovës, të cilët në periudhën e aplikimit, si vendbanim në formularin e regjistrimit kanë dhënë shtete të ndryshme, nuk i kanë dërguar pakot me fletëvotime nga ato shtete.

Dhjetë prej këtyre votueseve që kanë dërguar pako me fletëvotime nga Austria, në formularët e regjistrimit e kanë deklaruar si vendbanim shtetin e Italisë.

Gjashtë votues, të cilët i kanë dërguar pakot me fletëvotime nga shteti i Austrisë, në formularët e aplikimit e kanë deklaruar si vendbanim shtetin e Gjermanisë.

Një votues ka dërguar pako me fletëvotime nga Gjermania, ndërsa në formularin e aplikimit për regjistrim e ka deklaruar shtetin e Zvicrës.

Dy votues kanë dërguar pako me fletëvotime nga Austria, ndërsa në formularët e regjistrimit kishin deklaruar si vendbanim shtetin e Çekisë.

Lidhje Demokratike e Kosovës dorëzoi ankesë ndaj këtij vendimi në Gjykatën Supreme, duke thënë se PZAP po tenton të ndryshojë vullnetin e qytetarëve.

“Siç jeni të informuar sot KQZ ka shpallur rezultatet përfundimtarë për kryetarë të komunave në balotazhin e 14 nëntorit . Mirëpo në këto rezultate nuk figuron edhe Dragashi, andaj sot LDK ka dorëzuar ankesë në Gjykatën Supreme për vendimin skandaloz të PZAP-së dhe tre gjyqtareve të saj që kanë provuar të ndryshojnë vullnetin qytetarë të mërgatës së Dragashit”, tha Halimi.

Halimi shtoi se këto vota janë verifikuar e certifikuar në dy runde, ku ishin verifikuar si të rregullta.

“Kujtojmë se të gjitha këto vota ishin marrë parasysh dhe ishin bërë pjesë e certifikimit të rezultateve në rundin e parë nga KQZ. Ato ishin verifikuar, hapur, numëruar e pranuar si të rregullta nga KQZ edhe në rundin e dytë. Anulimi i tyre është përpjekje anti-demokratike për përmbysje të rezultatit zgjedhor nga kutitë e votimit në tavolinë” deklaroi Halimi.

Ndërkohë, Faton Fetahu, avokat i PDK-së, deklaroi se vendimi i PZAP-së solli drejtësi për qytetarët e Dragashit.

“PZAP ka konstatuar si të bazuara argumentet që kemi ngritur për sa i përket organizimit, orkestrimit dhe manipulimit të vullnetit të qytetarëve që jetojnë jashtë vendi, duke e devijuar kështu edhe vullnetin e rreth 12.000 votuesve, të cilët në mënyrë të lirë dhe demokratike shprehen vullnetin e tyre politik më 14 nëntor” – deklaroi ai.