Lajme

Dragusha: Qeveria lëmoshë qytetarëve, tenton t’ua blejë votat me 100 euro – miqve dhe familjarëve nga 100 mijë euro grante

01/09/2025 13:08
nga:G B

Kandidatja e LDK-së për deputete në zgjedhjet e 9 shkurtit, Donjeta Dragusha, me numër 42 në listë, ka kritikuar qeverinë për ndarjen e nga 100 euro për pensionistët dhe fëmijët deri në moshën 16 vjeçare.

Ajo ka thënë se kjo është lëmoshë për qytetarët.

“Kjo qeveri duke qenë e paaftë të ofrojë zgjidhje afatgjata për qytetarët, ka zgjedhur që në fund të mandatit të ofrojë lëmoshë për qytetarët. LDK për këtë ka vizion dhe zotim të qartë, ku që në javën e parë do të jetë koeficienti 150 euro”, është shprehur Dragusha.

Sipas saj, me këto mjete qeveria ka tentuar të blejë votën e qytetarëve por që ata i dinë mashtrimet e saj.

“Kjo është parë dhe nuk ka se si të shihet ndryshe përveç se një ndikim që të ndikojnë te qytetarët e Kosovës dhe një shfrytëzim i buxhetit për të ndikuar te qytetarët për një blerje publike të votave, por qytetarët tashmë i kanë mësuar dhe i njohin këto mashtrime dhe kjo do të tregohet më së miri në zgjedhjet e 9 shkurtit”, ka vlerësuar kryetarja e Degës I të LDK-së në Prishtinë.


Dragusha ka folur dhe për sektorin e shëndetësisë, derisa thotë se qeveria ka dështuar sikur edhe në sektorët tjerë, teksa përmend ndarjen e granteve për familjarë të tyre.

“Sikur edhe në të gjithë sektorët tjerë, kjo qeveri na ka ofruar vetëm skandale, nga 100 mijë euro grant për të afërm, vëllai i deputetes, daja, këshilltarë dhe të gjithë miq të tyre, ku këto mjete do të duhej të ishin për fermerët e Kosovës që kanë punë shumë të mirë që është po ashtu fisnike, por qeveria ka vendosur që këto mjete të buxhetit t’i ndajë mes miqve dhe familjarëve”, ka deklaruar kandidatja për deputete e LDK-së, Donjeta Dragusha./Gazeta Blic/