Lajme

Draft-statuti i ekipit menaxhues pikënisje e diskutimeve, analistët tregojnë ‘skenarin’ për takimet e ardhshme me Serbinë

05/08/2023 11:24
nga:G C

“Drafti i parë për Asociacionin nuk është përfundimtar, pikënisje për diskutimet e ardhshme”, ka deklaruar mbrëmë i dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

Lidhur me këtë, analistët thonë se po kjo çështje vazhdon të jetë problematika kryesore e dialogut Kosovë-Serbi.

Në një prononcim për GazetaBlic, njohësi i çështjeve politike, Arton Demhasaj thotë se më 2 maj, draft-statuti i propozuar për Asociacion ishte skandaloz dhe sipas tij vetëm fakti që ka mbetur të diskutohet për takimet e ardhshme nuk është shenjë e mirë për Kosovën.

“Këtu edhe qëndron problemi, që ne kemi pas një draft-statut skandaloz të propozuar në takimin e 2 majit. Fakti që tash ai draft ka me mbetë për t’u diskutuar në takimet e ardhshme është mjaft problematik”, tha Demhasaj.

Demhasaj shtoi tutje se, ai draft-statut i propozuar më 2 maj ka qenë në kuadër të lojës së Serbisë.

“Problematik është sepse unë mendoj që kjo ka qenë lojë e Serbisë që të propozojnë një draft të tillë kaq të ashpër dhe në kundërshtim me Kushtetutën, që pastaj në diskutime dhe në negociata në Bruksel të ulen disa kompetenca dhe të përfundojë tek ai statuti optimal që serbët dhe Serbia po e kërkojnë për Asociacionin e komunave me shumicë serbe”, tha Demhasaj për GazetaBlic.

Ndërsa, analisti Gazmir Raci për GazetaBlic tha se, pret që për takimet e ardhshme BE-ja të del me një propozim të ri rreth Asociacionit, sepse siç thotë ai, drafti i propozuar nga ekipi menaxhues ishte në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës.

“BE-ja të dal tash me një propozim të ri, sepse draft-statuti i propozuar nga ekipa menaxhuese që është shkarkuar është jo në harmoni me Kushtetutën dhe duhet BE-ja të dal me një propozim mbi të cilin palët do të vazhdojnë diskutimet, deri në momentin kur mund të afrohen qëndrimet”, tha Raci.

Raci shtoi se arritja për një draft-statut final do të jetë sfidë e madhe, sepse sipas tij, Serbia dëshiron legalizimin e strukturave të saj paralele në Kosovë.

“Besoj se kjo do të jetë mundësia më e mirë, por do të jetë edhe sfidë e madhe për të dyja palët që të përafrojnë qëndrimet për një statut final,duke marrrë parasysh që Serbia ka ambicie të mëdha për të legalizuar strukturat e saj paralele në Kosovë”, tha Raci për GazetaBlic.

Njohësi i çështjeve politike, Dritëro Arifi në një prononcim për GazetaBlic komentoi deklaratën e Lajçakut, ku edhe i jep të drejtë.

Arifi shtoi se, pala kosovare ka pranuar Asociacionin dhe tash ka mbetur vetëm mënyra dhe forma se si të bëhet. Ky debat sipas tij tashmë është i hapur dhe është në duar të ndërmjetësuesve.

“Besoj që në këtë pikë, Lajçak ka të drejtë sepse të dyja palët në njëfarë mënyre janë pajtuar për Asociacionin, sidomos pala kosovare është pajtuar që të ketë një statut të komunave serbe. Mënyra dhe forma kanë mbetur që të diskutohen për implementim në kuadër të ligjeve dhe Kushtetutës së Kosovës”, tha ai.

“Debati mbi këtë çështje tashmë është i hapur, tash pritet që në javët e ardhshme të formësohet një statut i tillë se si do të duket. Kjo tash mbetët në duar të niveleve të larta të bisedojnë për çështjet kryesore”, shtoi Arifi për GazetaBlic.

Ndryshe, i dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak ka qëndruar dje për vizitë në Zvicër, ku ka takuar diplomaten Livia Leu, me të cilën ka diskutuar për ecurinë në procesin e dialogut.Gjatë këtij takimi, Lajçak e ka vlerësuar me më rëndësi takimin e nivelit të lartë në Bruksel në mes të kryeministrit të Kosovës dhe presidentit serb.

“Presidenti Vuçiq dhe kryeministri Kurti u takuan në Bruksel për të diskutuar një çështje vendimtare të personave të zhdukur. Jam i kënaqur që të dy udhëheqësit ranë dakord të punojnë së bashku për të sqaruar vendndodhjen e njerëzve që u zhdukën gjatë luftës. Ne mirëpresim miratimin e palëve të deklaratës për personat e zhdukur dhe presim që ato të bëjnë përparim në mbylljen e rasteve të pazgjidhura të personave të zhdukur. Kjo jo vetëm që do t’i ndihmojë familjet e tyre të gjejnë paqe, por edhe do të avancojë normalizimin ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, ka deklaruar Lajçak.

Lajçak theksoi se drafti i paraqitur nga ekipi menaxhues është pikënisje e rëndësishme për diskutimet e ardhshme.

“Palët gjithashtu bënë një hap të rëndësishëm dhe simbolik drejt themelimit të Asociacionit/Bashkësisë së komunave me shumicë serbe. Megjithëse drafti i parë i paraqitur nga ekipi menaxhues nuk është përfundimtar, ai është një pikënisje e rëndësishme për diskutimet e ardhshme në nivelin e Kryenegociatorëve”, u shpreh Lajçak.

Ekipi Menaxhues për hartimin e draftit për statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe është shkarkuar ditë më parë nga Qeveria e Kosovës.

Drafti i parë i prezantuar është cilësuar si i papranueshëm për Kosovën nga kryeministri Albin Kurti.