Lajme

Dr.Sci. Besim Mulaj: Në Kuvendin e Kosovës do të jem zë i fuqishëm për çdo biznes që krijon vende pune dhe që e çon emrin e Kosovës përtej kufijve

12/17/2025 10:31
nga:Genita C

Kandidati i LDK-së për deputet me numrin 79, Besim Mulaj, ka vizituar fabrikën e vajit ushqimor “Fluidi” në Gjilan, duke e vlerësuar atë si një histori suksesi dhe shembull të industrisë së fortë vendore, raporton GazetaBlic.

Ai ka përgëzuar drejtuesit dhe mbi 160 punëtorët për përkushtimin dhe standardet evropiane të prodhimit, ndërsa ka premtuar se në Kuvendin e Kosovës do të jetë zë i fuqishëm për mbështetjen e prodhuesve vendorë dhe bizneseve që krijojnë vende pune dhe promovojnë Kosovën në tregjet ndërkombëtare.

Postimi i plotë:

Me kënaqësi të veçantë pata rastin të vizitoj fabrikën e vetme të vajit ushqimor në Gjilan – Fluidi. Një histori suksesi që të bën krenar, e ndërtuar me punë, vizion dhe standarde serioze evropiane. Nën drejtimin e z. Berat Mustafa, kjo kompani është shembull i qartë se si mund të ndërtohet industri e fortë vendore edhe në kushte jo gjithmonë të lehta.

U mahnita nga organizimi, teknologjia dhe mbi të gjitha nga përkushtimi i më shumë se 160 punëtorëve, të cilët çdo ditë japin maksimumin për të prodhuar produkte të cilësisë më të lartë dhe për t’i dërguar ato në tregje të ndryshme ndërkombëtare. Fluidi nuk është vetëm fabrikë – është dëshmi se Kosova ka kapacitet prodhues, ka dije dhe ka njerëz punëtorë.

Gjatë kësaj vizite, z. Mustafës i dhashë një premtim të sinqertë: se në Kuvendin e Kosovës do të jem zë i fuqishëm për çdo prodhues vendor, për çdo biznes që krijon vende pune dhe që e çon emrin e Kosovës përtej kufijve. Mbështetja e prodhimit vendor nuk është vetëm politikë ekonomike – është përgjegjësi ndaj shtetit dhe së ardhmes sonë.