Kandidati i LDK-së për deputet me numrin 79, Besim Mulaj, ka theksuar rëndësinë e zhvillimit të qëndrueshëm në Bjeshkët e Rugovës, duke e cilësuar këtë zonë si një thesar natyror të trashëguar brez pas brezi dhe të mbrojtur me sakrificë nga vetë banorët, raporton GazetaBlic.
Ai ka kritikuar barrierat ligjore që aktualisht pengojnë investimet, turizmin dhe projekte të tjera zhvillimore, duke veçuar mungesën e një rruge moderne që lidh Pejën me Rugovën si një problem kyç për zhvillimin ekonomik dhe turizmin e sigurt.
Ai ka premtuar angazhim për ndryshime ligjore dhe politika që mbrojnë interesat e Rugovës, për të krijuar mundësi afatgjata për banorët dhe zhvillimin e turizmit cilësor.
Postimi i plotë:
Rugova është një pasuri e rrallë natyrore, një thesar i trashëguar brez pas brezi dhe një zonë që ka mbijetuar e mbrojtur me sakrificë e me gjak nga vetë rugovasit.
Mirëpo sot, kjo zonë që meriton zhvillim, turizëm cilësor dhe investime të qëndrueshme, po përballet me barriera ligjore që po e mbajnë pezull çdo iniciativë për të ardhmen e saj.
Korniza aktuale ligjore për parqet kombëtare, e cila përfshin edhe Bjeshkët e Rugovës, ka krijuar kufizime që në praktikë po i bllokojnë projektet zhvillimore — sidomos ato që lidhen me agroturizmin, investimet familjare, mikrobizneset rurale dhe infrastrukturën e nevojshme. Sot, shumë investitorë që duan të kontribuojnë në Rugovë përballen me një mur administrativ, ndërkohë që banorët e zonës vazhdojnë të presin mundësitë që u takojnë me meritë.
Një nga problemet kyç është edhe mungesa e një rruge moderne që lidh Pejën me Bjeshkët e Rugovës. Kjo rrugë nuk është luks — është jetike. Ajo do t’i hapte derën turizmit të organizuar, zhvillimit ekonomik dhe qarkullimit të sigurt të banorëve, duke ruajtur në të njëjtën kohë strukturën ekologjike të zonës.
Ligjet nuk duhet të jenë pengesë për zhvillim. Përkundrazi, ato duhet të jenë mjet që siguron balansin mes mbrojtjes së natyrës dhe mundësive për të ardhmen.
Çdo investim mund dhe duhet të jetë në harmoni me mjedisin; kjo është standarde evropiane, dhe Rugova meriton trajtim me këto standarde.
Prandaj, angazhimi ynë është i qartë:
do të punojmë për ndryshimet e nevojshme ligjore që Bjeshkët e Rugovës të mos mbeten të izoluar nga e ardhmja, por të shndërrohen në një zonë që gjeneron mirëqenie për banorët dhe i hap dyert turizmit të qëndrueshëm, investimeve të mençura dhe zhvillimit afatgjatë.
Rugova nuk ka nevojë për barriera. Ka nevojë për mundësi.
Ka nevojë për politika që e kuptojnë realitetin e terrenit.
Ka nevojë për zëra që i mbrojnë interesat e saj me vendosmëri.
Dhe mbi të gjitha, ka nevojë për një vizion që e sheh zhvillimin dhe mbrojtjen e natyrës si partnerë, jo si kundërshtarë.
Rugovasit kanë dhënë shumë për këtë vend.
Koha është që edhe vendi të bëjë më shumë për Rugovën.


