Një udhëzues i ri i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve ka nxitur shqetësime serioze për mënyrën se si trajtohen votuesit me aftësi të kufizuara. Shoqata Down Syndrome Kosova e ka dërguar çështjen deri në Gjykatën Supreme, duke pretenduar se KQZ-ja ka vendosur barriera të padrejta në procesin e votimit.
Shoqata Down Syndrom Kosova ka dorëzuar një ankesë në Gjykatën Supreme, duke kundërshtuar vendimin e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, që kishte refuzuar kërkesën e tyre për rishikimin e udhëzuesit të KQZ-së për votimin me asistencë. Udhëzuesi i hartuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, sipas shoqatës, ka vendosur kritere diskriminuese duke cenuar të drejtën kushtetuese të votës për personat me aftësi të kufizuara.
”Qytetarët me aftësi të kufizuara në Republikën e Kosovës, të gjithë ata që kanë statusin e një qytetari me aftësi të kufizuar, kanë një vendim nga Ministria përkatëse, një vendim i cili merret nga një Komision mediko- social. Në këtë rast, KQZ-ja duhet ta ketë parasysh që ky udhëzues duhet të kërkojë vetëm Vendimin e Aftësisë së Kufizuar e jo të kërkohet raporte mjekësore, sepse në këtë rast ka shumë gjasa që të keqpërdoret Aftësia e Kufizuar që edhe ata persona të cilët nuk janë apo nuk kanë statusin e ’Personit me Aftësi të Kufizuar’ në bazë të ligjeve që i kemi në fuqi, mund ta posedojnë një raport nga në specialist mjekësor, për të pasur të drejtën e votimit me asistencë. Ne mendojmë që KQZ, ka kaluar kompetencat, sepse komisionerët nuk janë profile shëndetësore, do të thotë komisionerët, janë profile administrativë zgjedhorë dhe nuk mundet një komisioner të vlerësojë raportet mjekësore”, tha Sebahate Hajdini-Beqiri, drejtoreshë e Shoqatës Down Sindrom Kosova.
Shoqata pretendon se për hartimin e udhëzuesit, KQZ-ja nuk ka konsultuar organizatat që përfaqësojnë personat me aftësi të kufizuara një praktikë që, sipas tyre, ishte ndjekur në çdo proces zgjedhor deri më tani.
“Përkatësisht Udhëzuesi i cili është bërë publik gjatë muajit Nëntor në zgjedhjet në raundin e dytë në zgjedhjet komunale, ky udhëzues nuk është hartuar më herët dhe ne e konsiderojmë edhe jo transparente dhe për hartimin e këtij udhëzuesi në fakt nuk janë konsultuar shoqatat që përfaqësojnë personat me aftësi të kufizuara apo vetë personat me aftësi të kufizuara. Ne e kemi një praktik që para çdo palë zgjedhjeve KQZ-ja na kanë kontaktuar qoftë kemi organizuar takime, kemi kontribuar në shpërndarjen e materialit tek anëtarët tanë. Ndërsa në këtë rast, ne nuk e kemi pasur asnjë bashkëpunim e asnjë informatë nga KQZ-ja, mbi ekzistencën e këtij Udhëzuesi për votimin me asistencë. Do të thotë gjithçka që kemi kuptuar ka qenë në ditën e zgjedhjeve me datën 9 Nëntor 2025”, tha Beqiri.
Me dorëzimin e ankesës në Gjykatën Supreme, Down Syndrome Kosova thotë se synon mbrojtjen e të drejtave dhe dinjitetit të personave me aftësi të kufizuara, si dhe sigurimin e një procesi zgjedhor më gjithëpërfshirës dhe më të drejtë.


