Lajme

Dosja e Salih Mustafës transmetohet tek 4 gjyqtarët e trupit gjykues – Kush janë ata?

05/08/2021 22:17
nga:M K

Gjykimi ndaj Salih Mustafës në Gjykatën Speciale do të fillojë së shpejti.

Kjo pasi që e gjithë dosja paraprake, gjatë ditës së djeshme i është përcjellur Trupit Gjykues të caktuar gjatë javës që po lëmë pas, shkruan lajmi.net.

Bazuar në rregullat e përcaktuara me ligj, gjykatësi i procedurës paraprake, Nicollas Guillou ia ka përcjellë Trupit Gjykues të përbërë nga katër gjyqtarë materialet si në vijim:

Aktakuzën e konfirmuar;

Të gjitha regjistrat dhe materiali i dorëzuar përmes menaxhmentit elektronik të gjykatës;

Çdo material dëshmues i marrë që nuk i nënshtrohet paragrafit (1) (b);

Çdo korrespondencë tjetër në lidhje me çështjen e paditur në Gjykatë

Njësia e Menaxhimit;

Një Dokument Dorëzimi që përmbledh:

argumentet e palëve dhe, kur është e zbatueshme, faktet dhe ligjin në fuqi;

pikat e marrëveshjes;

një listë e urdhrave dhe vendimeve të marra nga gjyqtari i procedurës paraprake;

materialin dëshmues të prodhuar nga secila palë;

sugjerime për numrin dhe rëndësinë e dëshmitarëve që do të thirren;

çështjet në kundërshtim për të cilat diskutohet;

gjendja e avancimit të procesit të zbulimit;

të gjitha takimet me palët;

çdo çështje tjetër që mbeti e pazgjidhur;

Çdo kërkesë dhe vendim në lidhje me zbulimin;

Çdo material tjetër në lidhje me çështjen.

Gjykatësi i Procedurës Paraprake, Nicollas Guillou ka përgatitur një dokument dëshmues për transmetimin e dosjes në fjalë. Mirëpo, shkaku i informacioneve të paraqitura aty që konsiderohet të jenë konfidenciale, ai nënvizon se i njëjti në këtë fazë s’mund të bëhet publik.

Kush janë gjyqtarët e caktuar në Trupin Gjykues 1 në Rastin e Salih Mustafës?

Gjykatësi Roland Dekers (Holandë) shërben si gjykatës i lartë në Gjykatën e Apelit të Hertogenboshit (‘s-Hertogenbosch ) nga viti 2017. Midis 2008 dhe 2017, shërbeu si gjykatës i lartë (nënkryetar) në Gjykatën e Apelit të Hagës, ku kryesoi seksionin për krime ndërkombëtare.

Nga 2005 deri më 2008, gjykatësi Dekers punoi si gjykatës ndërkombëtar në Dhomën për Krimet e Luftës të Gjykatës Shtetërore të Bosnjë-Hercegovinës në Sarajevë.

Para kësaj periudhe, ai shërbeu si gjykatës në seksionin penal të Gjykatës së Apelit në Amsterdam (2002-2008) dhe gjatë viteve 2001-2002, në seksionin penal të gjykatës së qarkut të Rurmondit (Roermond). Gjatë periudhës 1997-2001, ai ishte gjykatës në Gjykatën e Përbashkët të Drejtësisë për Arubën dhe Antilet Holandeze.

Gjatë periudhës 1992-1997, punoi në gjykatën e qarkut në Hagë, fillimisht si jurist i lartë e më pas si gjykatës. Para kësaj periudhe ka punuar si jurist për shoqëri tregtare dhe si hulumtues i të drejtës civile në Universitetin e Utrehtit.

Gjykatësi Dekers ka qenë ligjërues i jashtëm i të drejtës penale ndërkombëtare dhe procedurës penale në disa universitete në Holandë. Gjithashtu ai është anëtar i komisionit këshillimor të fakultetit juridik të Universitetit të Mastrihtit dhe anëtar i regjistrit të ekspertëve të Seksionit për Çështje të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Gjykatësi Dekers studioi për drejtësi në Universitetin e Utrehtit (Utrecht) dhe të Mastrihtit (Maastricht), në Holandë dhe u diplomua si jurist nga Universiteti i Mastrihtit.

Gjykatësi Vladimir Mikula (Republika Çeke) ka punuar si gjykatës i EULEX-it që prej vitit 2011.

Gjithashtu, ai ka qenë gjykatës në rajonin e Bohemisë Veriore në Republikën Çeke që prej vitit 2007.

Më herët ka punuar edhe si këshilltar ligjor i institucioneve financiare në Pragë.

Gjykatësi Mikula është diplomuar si jurist në Universitetin e Pragës (Republika Çeke).

Gjykatës Zhilber Biti (Francë) punon si këshilltar i lartë juridik në Gjykatën Penale Ndërkombëtare (GJPN) Seksioni i Procedurës Paraprake (2005-aktualisht). Ai gjithashtu ka punuar si shef i Seksionit të Pjesëmarrjes së Viktimave dhe Dëmshpërblimeve në GJPN dhe zëvendësshef i Seksionit Këshillimor Juridik në Zyrën e Prokurorit të GJPN-së (2004-2005).

Ka qenë përfaqësuesi juridik i qeverisë së Francës para Gjykatës Evropiane të Drejtave të Njeriut (1993-2001) dhe anëtar i delegacionit francez gjatë negociatave të Statutit të Romës dhe të Rregullores së Procedurës dhe Provave të GJPN-së. Nga viti 1991 deri në vitin 1993, gjykatës Biti ka qenë ndihmësprofesor në Universitetin e Parisit II (Pantheon Assas, Francë).

Gjykatës Biti vazhdon të ligjërojë në një numër universitetesh në Francë (Lille dhe Paris) dhe Spanjë (Barcelonë). Gjykatës Biti ka botuar gjerësisht në fushat e të drejtës penale ndërkombëtare dhe të të drejtave të njeriut në gjuhën angleze, franceze dhe spanjolle.

Gjykatës Biti është anëtar i Bordit Këshillues për Qendrën për të Drejtën Ndërkombëtare dhe Politikë (CILRAP). Gjykatës Biti është i diplomuar në shkenca juridike (magjistër me specializim në karriera në gjyqësi dhe DEA – diplôme d’études approfondies – në të drejtën penale) nga Universiteti i Parisit II (Pantheon-Assas, Francë).

Gjykatësja Mapi Feld-Folia (Holandë) punon si gjykatëse në Gjykatën e Apelit në Hagë që nga viti 2010, ku është anëtare e Dhomave për Trafikimin e Qenieve Njerëzore dhe Krimeve Ndërkombëtare.

Prej vitit 2006, ajo punoi si gjykatëse në gjykatën e shkallës së parë të Hagës, në çështje të së drejtës penale (ndërkombëtare) dhe ekstradimit. Nga 1997 deri më 2005, ajo punoi në departamentin e të drejtës penale të zyrës shkencore të Gjykatës Supreme të Holandës. Gjatë kësaj periudhe, më 2001, ajo gjithashtu u caktua në Ministrinë e Punëve të Jashtme si përfaqësuese zëvendësuese në Gjykatën Evropiane për Të drejtat e Njeriut.

Ajo ka qenë mësimdhënëse e të drejtës dhe procedurës penale si edhe e të drejtës penale evropiane në Universitetin e Tilburgut dhe në Universitetin e Erasmusit në Roterdam (Holandë).

Gjykatësja Feld-Folia është diplomuar për drejtësi nga Universiteti i Tilburgut dhe ka një diplomë pasuniversitare nga Universiteti i Lirë i Brukselit (Belgjikë). Ajo u doktorua për të drejtat e njeriut dhe procedurën penale nga Universiteti i Tilburgut.

Ajo ka botuar gjerësisht në fushën e të drejtës dhe procedurës penale si edhe të së drejtës penale evropiane dhe ka ligjëruar për të drejtën evropiane, trafikimin e qenieve njerëzore dhe të drejtën (procedurale) penale.

LEXO EDHE:

Cilat janë dyshimet e para për vdekjen e tre anëtarëve të Familjes Haliti?! Haziri me thirrje “urgjente” për autoritetet në Shqipëri