Dosja e Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinajt në Gjykatën Speciale edhe zyrtarisht i është transmetuar Trupit Gjykues nga gjyqtari francez i Procedurës Paraprake, Nicollas Guillou.
Katër gjyqtarët e trupit gjykues në rastin e Hysni Gucatit e Nasim Haradinajt kanë në dorë tashmë dosjen e ish-krerëve të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së. Kjo nënkupton edhe hapin final për nisjen e gjykimit ndaj tyre, shkruan lajmi.net.
Brenda 30 ditësh, siç parashihet me rregullore, gjykatësi paraprak do të dorëzojë tek trupi gjykues materialet si më poshtë:
(a) Aktakuza siç është konfirmuar;
(b) Të gjitha regjistrat dhe materialin e paraqitur përmes sistemit elektronik të menaxhimit të gjykatës;
(c) Çdo material dëshmues i marrë që nuk i nënshtrohet paragrafit (1) (b);
(d) Çdo korrespondencë tjetër në lidhje me çështjen e paditur në Njësinë e Menaxhimit të Gjykatës;
(e) Një dokument të dorëzimit që përmbledh: (i) argumentet e palëve dhe, kur është e zbatueshme, avokatin e viktimave mbi faktet dhe ligjin në fuqi; (ii) pikat e marrëveshjes; (iii) një listë të urdhrave dhe vendimeve të marra nga Gjyqtari i Procedurës paraprake; (iv) materialin dëshmues të prodhuar nga secila Palë; (v) sugjerime për numrin dhe rëndësinë e dëshmitarëve që do të thirren; (vi) çështjet e kundërta dhe ligji që janë në diskutim; (vii) gjendja e avancimit të procesit të zbulimit; (viii) të gjitha takimet me Palët; dhe (ix) çdo çështje tjetër që ka mbetur e pazgjidhur;
(f) Çdo kërkesë dhe vendim në lidhje me zbulimin; dhe
(g) Çdo material tjetër që ka të bëjë me çështjen.
Lajmi.net raportoi dje se në Trupin Gjykues në këtë rast është caktuar një gjyqtar i cili ishte shumë i përmendur në raportet e ish-kryetarit të gjyqtarëve të EULEX-it, Malcolm Simmons, për ndikime në raste kundër krerëve të UÇK-së. Bëhet fjalë për Charles Smith.
Charles Smith është emër i njohur për opinionin kosovar. Amerikani për tri vite ka punuar në Kosovë, në kuadër të misionit të EULEX-it. Aty ai njëherë u zgjodh kryetar dhe nënkryetar i Kuvendit të Gjykatësve të EULEX-it, më 2011-2012 si dhe 2013.