Lajme

Dosja e Faton Pecit- me të cilën s`po ‘guxon’ të merret Prokuroria Speciale

05/15/2023 14:48
nga:N M

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci tash e sa kohë po kërkon nga Prokuroria Speciale që të merret me disa prona që i takojnë kësaj ministrie, e ku Peci po pretendon se ka pasur dallavere dhe shkelje të shumta në momentin kur janë lidhur kontratat me disa operatorë privatë dhe zyrtarëve të kësaj ministrie për dhënien me qira të pronës së kësaj ministre, raporton Gazeta Blic.

Peci i është drejtuar Prokurorisë Speciale të Kosovës me një dosje të tërë e që mbanë datën 1 dhjetor të vitit 2022, e ku aty ka disa dokumente e kontrata, për të cilat kreu i kësaj ministre thotë se kontratat janë lidhur jashtëligjshëm.

Në Prishtinë, Pejë e vende të tjera, Peci po pretendon se në pronat që i takojnë kësaj ministrie, pati dallavere në dokumente dhe procedura, ku prona ose toka u dhanë me qera për disa biznese të ndryshme.

Gazeta Blic posedon një dosje voluminoze e ku Peci e ka dërguar në Prokurorinë Speciale.

Por, përveç disa objekteve që momentalisht po shfrytëzohet nga operatorë të ndryshëm privatë, Peci ka telashe edhe me objektin, ku gjendet Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, e ku objekti është pronë e ministrisë së Bujqësisë.

E për krejt dyshimet se ka pasur në kontrata të nënshkruara në kundërshtim me ligjin, Faton Peci në dosjen e dërguar në Prokurorinë Speciale ka përmendur disa emra .

Kapllan Halimi, ish sekretar i MBPZHR , drejtorin e Institutit Bujqësor të Kosovës ( IBK) dhe zyrtarë të tjerë në këtë ministri.

“Duke u bazuar në shkeljet e kryera nga ana e Drejtorit të Institutit Bujqësor të Kosovës ( IBK) z. Fehmi Geci , mosrespektimin e detyrave dhe përgjegjësive të punës përfshi dëmtimin e pasurisë shtetërore dhe përdorimin e saj jashtë përcaktimit zyrtar, na lejoni të ju njoftojmë si vijon si dhe njëkohësisht ju bëjmë thirrje që të hetoni rastet në fjalë”.

Kështu nis dosja që vetë ministri i Bujqësisë e ka nisur në Prokurorinë Speciale të Kosovës.

Por çka përmban kjo dosje që Faton Peci e ka nisur në Prokurori?

Rasti i parë ka të bëjë me objektin ku ndodhet subjekti politik Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe disa objekte afariste që ndodhen në rrugën “ Bulevardi i Dëshmorëve”.

Në dosje thuhet se Fehmi Geci ka nënshkruar së paku një rast, kontratë për lëshim me qira të pronës shtetërore me autorizim i cili nuk mbështetet në bazën ligjore dhe preambula e të cilit nuk ka të bëjë me fushat për të cilat janë nënshkruar kontratat me qiramarrës. Një autorizim i tillë ishte nënshkruar nga ish sekretari permanent në këtë ministri Kapllan Halimi, thuhet ndër të tjera në dosjen që e posedon Gazeta Blic.

“Ish sekretari i MBPZHR, Kapllan Halimi, ka autorizuar Fehmi Gecin pa bazë ligjore duke u thirrur në përgjegjësit dhe të drejtën për autorizime ngjashëm me autorizimet sipas të cilave kryeministri autorizon ministrat , ndërsa ministrat autorizojnë sekretarët permanent. Në preambulën e autorizimit të datës 11. 04. 2018 shkruan: Duke marrë parasysh nenin 38 të ligjit nr 03/L-189 për administratën shtetërore duke u bazuar nën nenin 17 (paragrafi 5 dhe 6 ) të rregullores nr 02/2011 për fushat dhe përgjegjësit administrativë të zyrës së kryeministrit dhe ministrave”, thuhet në dosje ndër të tjera.

Sipas dosjes kjo preambulë nuk lejon që Sekretari i Përgjithshëm të autorizoj një zyrtarë tjetër , aq më tepër për të nënshkruar kontrata me rëndësi të veçantë sikur që është nënshkrimi i kontratave për lëshime me qeta të pronës së shtetit.

Por kjo nuk përfundon me kaq.

Me 28. 04. 2017 Kapllan Halimi merr vendim për formimin e një komisioni për dhënien me qira të objektit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

Përbërja e këtij komisioni ishte Fehmi Geci, kryetar, Bajram Sefaj, anëtar dhe Eshref Mulaku anëtar.

“Komisioni i themeluar me datën 28.04 2017 rekomandon që çmimi për qiradhënie për objektin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës të jetë në vlerë financiare 2.50 euro për metër katrorë, ndërsa çmimi mujor arrin vlerën financiare prej 2450 euro ose çmimi vjetor 29 mijë e 400 euro. Rekomandimi i komisionit mund ta ketë dëmtuar pronën publike të MPBZHR , me anë të një çmimi favorizues për qiramarrësin. Pas dhënies së këtij rekomandimi nga ana e tij në cilësinë e kryetarit të komisionit, Fehmi Geci me datë 11.04,2018 merr një dokument – autorizim nga ish sekretari Kapllan Halimi dhe nënshkruan kontratë për lëshim me qira të pronës shtetërore, AAK me çka rezulton se lidhur me të njëjtën pronë, ai ka dhënë rekomandimin për çmimin e qiradhënies në cilësinë e kryetarit të komisionit, si dhe njëkohësisht nënshkruan edhe kontratë për lëshim me qera”, thuhet në dosjen që ka Gazeta Blic.

Pak a shumë këto janë pretendimet e Faton Pecit për rastin AAK.

Sot hiq më larg Faton Peci, ka kërkuar nga kryetari i Prishtinës, përmes një statusi në Facebook, që të merret ndonjë vendim për pronat që janë në rrugën “Bulevardi i Dëshmorëve, ku përveç AAK aty janë edhe disa biznese private.

Gazeta Blic ka arritur të siguroj komunikimin e Pecit me Përparim Ramën, kryetarin e Prishtinës.

Email zyrtar mbanë datë 31 mars 2023.

Aty Faton Peci kërkon veprime konkrete nga Komuna e Prishtinës.

Përmend këtu edhe objektin ku gjendet me qira Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës

Më poshtë gjeni kërkesën e ministrit Faton Peci, drejtuar kryetarit të Prishtinës Përparim Rama:

I nderuar Kryetar Rama:

Siç edhe u dakorduam gjatë takimit që zhvilluam të mërkurën, më lejoni që t’iu njoftoj me faktet që ndërlidhen me pronën shtetërore, respektivisht pronat e Institutit Bujqësor të Kosovës në komunën e Prishtinës

Duke iu referuar raporteve të komisioneve të MBPZHR-së , i fundit i datës 25.03.2022 për Pronat e Paluajtëshme të IBK-së, është konstatuar se në bazë të çertifikatave të pronësisë (me pronar Institutin për Hulumtime Shkencore) që është në kuadër të MBPZhR-së posedon edhe parcelat kadastrale nr. 7432-1 me sipërfaqe 3932 m² dhe nr. 7433-0 me sipërfaqe 469m².

Në kuadër të këtyre dy parcelave ekziston i ndërtuar objekti me numër 465 (I regjistruar në pjesën grafike), një pjesë të së cilit e shfrytëzon me kontratë Partia Politike AAK, ndërsa pjesën tjetër e shfrytëzon Familja Bogaj.

Në kuadër të kësaj pjese që shfrytëzohet nga familja Bogaj e pozicionuar nga rruga Henri Duna, janë prona private dy njësi banesore O-71914059-07433-0-465-2-2-0 me sipërfaqe 89 m² dhe 71914059-07433-0-465-2-4-0 me sipërfaqe 70.19m² apo gjithsej sipërfaqe 159.19m² të regjistruara me çertifikatën e pronësisë me pronar Miradije Bogaj.

Këto dy njësi banesore janë shndërruar në lokale afariste duke u zgjeruar edhe në pjesë tjera të objektit ekzistues si dhe në pjesën e oborrit që tani ka ndërtim të vrazhdë, e që kjo pjesë prej 159.19m² sipërfaqe është prone private, ndërsa pjesa tjetër që është rreth 700m² ndërtim (pjesa e objektit ekzistues dhe ndërtimi në oborr), janë pronë e MBPZhR.

Kërkojmë nga Drejtoria e Inspektoriatit të Komunës së Prishtinës e cila mbikqyr dhe inspekton të gjitha dukuritë negative që hasen në Komunën e Prishtinës, të veprojë në kuadër të kompetencave të veta dhe të ndëmarrë masat e nevojshme, rrjedhimisht të mundësoj shfrytëzimin e pronës titullarit të ligjshëm.

Paralelisht veprimeve që do të ndërmirren për zbatimin e ligjit, kërkojmë nga institucioni juaj informacione dhe të gjithë historiatin e pronës së dy banesave që janë tjetërsuar dhe regjistruar në Kadastrin e Komunës së Prishtinës.

Gazeta Blic ka sot me zyrtarët e AAK-së, të cilët thonë se ka qenë një keqinformim i mediave sepse ministri në fjalë nuk e ka përmendur objektin ku gjendet me qira AAK-ja.

Kushtrim Xhemaili zëdhënës në këtë parti, ka sqaruar për hapësirat që shfrytëzon ky subjekt politik paguajnë qira dhe posedojnë kontratë valide me ministrinë e Bujqësisë.

“Shqetësimet e ministrit Peci për keqpërdorime të mundshme në kompleksin e objekteve ku i ka zyre Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, nuk kanë fare të bëjnë me AAK-në dhe me hapësirën që e shfrytëzon partia jonë. Ky është një keqinterpretim i mediave, shpresojmë i paqëllimshëm. Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, këto zyre i shfrytëzon në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe në bazë të kontratës që e ka me Ministrinë e Bujqësisë”, thuhet në përgjigjen e Xhemailit.

AAK i përgjigjet Faton Pecit për objektin me qira: Kemi kontratë për këtë punë

Pas pak Gazeta Blic sjell raste të tjera që ministri Faton Peci ka nisur në Prokurorinë Speciale, e ku dyshohet  se pati dallavere e shkelje të ndryshme, për pronat e ministrisë së Bujqësisë që u dhanë me qira.