Lajme

Dosja e falsifikimeve për kontratën mbi 8 milionë euro për ushtarët

07/03/2021 18:12
nga:M K

Prokuroria Themelore në Prishtinë është duke ndërmarrë veprime hetimore ndaj kompanisë “Beni Dona Plast”, pronë e afaristit Ragip Mustafa, për shkak të dyshimeve se kjo kompani ka falsifikuar ISO certifikatat në dosje të tenderit për furnizimin me ushqim të Forcës së Sigurisë së Kosovës. Këto certifikata dëshmojnë kapacitetet e kompanive për kryerjen e veprimtarive të ndryshme.

Çështja se si është arritur deri në pikën që kontrata për furnizimit me ushqim të FSK-së të hetohet nga prokuroria, pas shqyrtimit për rreth dy vjet në Ministrinë e Forcës së Sigurisë dhe Organin Shqyrtues të Prokurimit (OSHP), është temë e hulumtuar nga emisioni ‘Iustitia’ që prodhohet nga Radio Evropa e Lirë dhe Betimi për Drejtësi.

Lufta për kritere
Lufta për kontratën e parashikuar në vlerë 9 milionë euro për furnizim me ushqim të Forcës së Sigurisë së Kosovës, ka nisur në prill të vitit 2018 dhe fillimisht, në garë për këtë kontratë kishin hyrë katër kompani.

Pas vlerësimit të ofertave, Ministria e Forcës së Sigurisë i kishte vlerësuar si të përgjegjshme vetëm dy grupe të operatorëve ekonomikë, N.T.P. “Global Parajsa”; “Ciano Trading&Services” dhe N.T.P.T “Florenti, Sori-AL, KPL, Ushqimi” Sh.A. Mitrovicë.

Kontratën e kishte fituar operatori ekonomik “Global Parajsa”; “Ciano Trading&Services”, tri herë radhazi, me ofertën 7.211.000.00 euro, e cila ishte 1.461.000.00 euro më i lirë sesa operatori tjetër.

Kjo kontratë, ishte kontestuar në Organin Shqyrtues të Prokurimit, nga dy operatorë tjerë ekonomikë, përfshirë kompaninë “Beni Dona Plast”, të cilët ishin ankuar se kompania “Global Parajsa” nuk i kishte plotësuar kriteret sipas tenderit.

Nesim Grabanica, menaxher në kompaninë “Global Parajsa”, në emisionin ‘Iustitia’, ka sqaruar se në rastin e parë, kur operatorët tjerë e kanë bërë ankesën, ata janë thirrur në kriterin që kërkon një teknolog të ushqimit me nivelin master apo bachelor. Siç thotë ai, OSHP-ja më pas e kishte anuluar vendimin e Ministrisë së FSK-së për dhënien e kontratës, pavarësisht mendimit që ka dhënë eksperti shqyrtues i vet këtij organi.

“Analiza e ekspertit ligjor, që është bërë me këtë rast, i ka dhënë të drejtën kompanisë tonë, sepse ne kemi kërkuar edhe interpretime nga Ministria e Arsimit, gjë që edhe aty na është konfirmuar që niveli bachelor dhe niveli master, në raport me diplomat e teknologut, janë të njëjta, nuk kanë ndryshime”, ka thënë Grabanica.

Lojë pingpongu e MFSK-së dhe OSHP
Ministria e Forcës së Sigurisë, për tri herë radhazi kishte vendosur që kontrata t’i jepej grupit të operatorëve ekonomikë “Global Parajsa” dhe “Ciano Trading & Services”, duke e vlerësuar si ofertues i përgjegjshëm, vlerësim i cili nuk i ishte dhënë edhe kompanisë “Beni Dona Plast”.

Kontrata, tri herë me radhë, me vendime të OSHP-së, ishte kthyer në rivlerësim në Ministrinë e Forcës së Sigurisë, e cila, më 19 dhjetor 2019, më në fund njoftoi se kontrata i është dhënë “Beni Dona Plast”, me çmim prej 8.417.800.00 euro apo 1.206.800.00 euro çmim më i lartë sesa oferta e “Global Parajsa & Cianoo Trading & Services”, i cili për tri herë më parë ishte shpallur fitues.

Ankesat dhe akuzat
Dy kompanitë “Florenti” dhe “Global Parajsa”, janë ankuar me pretendimet se Ministria e Forcës së Sigurisë ka shkelur ligjin kur e ka shpallur fitues “Beni Dona Plast”.

Sipas tyre, kjo kompani nuk kishte arritur asnjëherë më parë, të argumentonte kriterin e domosdoshëm të qarkullimit financiar prej 10 milionë eurove në tri vjetët e fundit, për natyrën e njëjtë apo të ngjashme të kontratave. Për këtë kriter, “Beni Dona Plast” vazhdimisht më parë ishte shpallur e papërgjegjshme.

Gjithashtu, në seancën e fundit të mbajtur në OSHP, përfaqësuesit e operatorëve ekonomikë “Global Parajsa” dhe “Ciano Trading & Services”, kishin ofruar dëshmi përmes të cilave pretendohej se “Beni Dona Plast” kishte falsifikuar dokumente, përkatësisht dy certifikata ISO.

Këto pretendime të shpalosura në seancën publike të OSHP-së, nuk janë marrë fare parasysh nga paneli i OSHP-së.

OSHP-ja injoroi pretendimet për falsifikim dokumentesh
Gjatë seancës së OSHP-së, eksperti shqyrtues i këtij organi, nuk është pajtuar që t’i jepet kontrata “Beni Dona Plast”, pasi sipas tij, nuk i ka përmbushur kriteret ligjore. Ai ka kërkuar që të anulohet vendimi dhe lënda të kthehet sërish në rivlerësim nga Ministria e Forcës së Sigurisë.

Por, kjo nuk ka ndodhur. Pas përfundimit të kësaj seance, OSHP-ja i ka dhënë të drejtë Ministrisë së Forcës së Sigurisë që të vazhdojë me procedimin e kësaj kontrate për “Beni Dona Plast”. Në fund, pas pesë betejave në Organin Shqyrtues të Prokurimit, kjo kontratë ka përfunduar në mars të vitit 2020, në favor të Ragip Mustafës, pronar i kompanisë “Beni Dona Plast”.

Dyshimet e ngritura për falsifikim të ISO certifikatave
Derisa në OSHP po zhvilloheshin beteja në mes të kompanive për ta fituar kontratën 9-milionëshe të Ministrisë së Forcës së Sigurisë, në lidhje me dyshimet për falsifikim të ISO certifikatave të ofruara nga “Beni Dona Plast”, Task-Forca Anti-korrupsion e Policisë së Kosovës, kishte filluar të grumbullonte informacione për të verifikuar validitetin e tyre.

Asokohe, përfaqësuesit e operatorit ekonomik “Global Parajsa”, po ashtu kishin ndërmarrë veprime për të verifikuar validitetin e tyre.

ISO certifikatat e kontestuara, të deponuara nga “Beni Dona Plast”, figurojnë si të lëshuar nga “Royal Cert International”. Bëhet fjalë për certifikatën ISO 22000, dhe për certifikatën ISO 9001.

“Royal Cert International”: Certifikatat ISO, jovalide
Ekipi i hulumtuesve të emisionit ‘Iustitia’, ka siguruar dokumentet zyrtare të komunikimit të kompanive dhe hetuesisë së policisë me përfaqësuesit e kompanisë “Royal Cert International”, në të cilat kjo kompani ka konfirmuar se dy ISO certifikata ishin keqpërdorur nga “Beni Dona Plast”.

Menaxherja e operimit kompanisë “Royal Cert International”, Carolin Hofner, përmes një letre i ka kërkuar kompanisë “Beni Dona Plast” , të ndalojë përdorimin e këtyre ISO certifikatave, sepse në të kundërtën kompania do të ndërmarr veprime ligjore.

“Shfajësimet” e Prokurorisë dhe OSHP-së
Paraprakisht, derisa kjo lëndë po trajtohej me ankesa në OSHP, Prokuroria Themelore në Prishtinë, kishte vendosur të mos ndërmarrë veprime hetimore lidhur me pretendimet për ISO certifikatat e falsifikuara.

Në një vërtetim të lëshuar nga prokurorja e shtetit Merrushe Lllugiqi, e të cilin e ka siguruar emisioni ‘Iustitia’, thuhet që “rasti mbyllet me shënim zyrtar dhe nuk ka mundësi për ndërmarrjen e ndjekjes penale”, për shkak se ky rast ka qenë duke u trajtuar nga OSHP-ja.

Vërtetimi ishte lëshuar me kërkesën e pronarit të kompanisë “Beni Dona Plast”, Ragip Mustafa.

Ndërkohë, në të gjitha fazat e zhvilluara në seancat e OSHP-së, Paneli Shqyrtues, sa herë janë ngritur dyshimet për falsifikime të ISO certifikatave, u ka sugjeruar kompanive që t’i drejtohen prokurorisë.

Miftaraj: Skandal, për interesa të caktuara
Ehat Miftaraj, drejtor ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi vlerëson që ky veprim i prokurorisë, paraqet skandal të llojit të vet, duke krijuar mundësinë e abuzimit me buxhetin publik, i cili mund të ndahet për kompani, të cilat përmes falsifikimeve, mund të jenë përfituese të kontratave milionëshe.

“Është nonsens i llojit të vet. Në këso raste, kushdo që ngreh dyshime për kryerje të një vepre penale, siç është në këtë rast dyshimi për falsifikim, pushon çdo procedurë administrative, sepse pasojat e kryerjes së veprës penale mund të jenë të pariparueshme. Nuk ka logjikë që prokurori të marrë këso vendime, por këtu paraqitet shkelja e hapur e ligjit, e cila vetëm nga padituria nuk mund të ketë ndodhur. Pra, kjo formë e veprimit shihet qartë se është bërë qëllimshëm për interesa të caktuara”, ka thënë Miftaraj.

Heshtje gjatë hetimeve
Lidhur me dyshimet e ngritura, emisioni ‘Iustitia’ ka kërkuar sqarime nga kompania “Beni Dona Plast”. Avokati i kësaj kompanie, Besnik Berisha, në një përgjigje me shkrim, ka thënë se rasti është duke u trajtuar nga prokuroria dhe se “se për ta ruajtur hetimin në progres”, “do të përmbahen nga paraqitjet publike”.

Se “nuk mund të flasin, sepse për këtë rast, prokuroria është duke kryer hetime”, kështu janë përgjigjur edhe zyrtarët e Ministrisë së Mbrojtjes, të cilët janë pyetur nga emisioni ‘Iustitia’, nëse ky institucion ka përmbushur obligimet ligjore, për t’u siguruar se këto ISO certifikata janë valide sipas ligjit.

Ish-kryetarin e OSHP-së, Blerim Dina, nuk ka pranuar që të intervistohet. Por, në një bisedë telefonike me hulumtuesit e emisionit ‘Iustitia’, Dina, në parim, ka theksuar që rreth kësaj teme, të gjitha gjenden në vendimet e OSHP-së. I pyetur se çfarë kanë bërë për të verifikuar dyshimet e ngritura për falsifikim të ISO certifikatave nga “Beni Dona Plast”, Dina është përgjigjur kështu:

“Çka duhet të bëj unë, t’i arrestoj njerëzit a?”, ka deklaruar Dina.

Sidoqoftë, pas insistimit të emisionit ‘Iustitia’, për të siguruar vendimin për mbylljen e rastit, prokuroria është aktivizuar për të ndërmarrë veprimeve hetimore. Se si do të veprohet për zbardhjen e këtij rasti, mbetet të shihet.