Lajme

“Dosja Brezovica 1”- Për çka akuzohen kryeinspektori i MMPH-së, sekretari i përgjithshëm e zyrtari i kësaj ministrie?

12/11/2022 16:08
nga:G B

Arben Çitaku, në cilësinë e sekretarit të përgjithshëm të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH) , Bedri Halimi si kryeinspektor në MMPH, si dhe Mustafë Hyseni si shef i departamentit për Mbrojtje të Mjedisit dhe Ujërave në MMPH, akuzohen se kanë keqpërdorur detyrat zyrtare, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për tjetrin.

Në dosjen e Prokurorisë Themelore në Ferizaj të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, thuhet se Arben Çitaku si ish-sekretar në MMPH, po akuzohet për marrjen e vendimeve për pëlqime mjedisore dhe ujore për objektet ndërtimore në Parkun Kombëtar “Sharri”, Zona e Brezovicës.

Në aktakuzë thuhet se i njëjti ka nxjerrë vendim për dhënien e pëlqimeve mjedisore për dy objekte hoteliere, “Stella Consulting”, me bashkëpronar Gentjan Sulën dhe Veton Surroin, si dhe “Kaona Hotel” me pronare Sanije Gecin, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Tutje, Çitaku akuzohet se ka nxjerrë vendim për dhënien e pëlqimeve mjedisore edhe për kompleksin prej 19 vikend-shtëpizave “Mëkshtena”, të NN. “Stella Consulting”, pëlqimin mjedisor për 11 vikend-shtëpive “Lagja D”, të NN”Arena Sport” me pronar Rijad Hasani, si dhe për kompleksin e 10 vikend-shtëpizave, si “Lagja D”, me pronar Blerim Imerin.

Gjithashtu, i njëjti akuzohet edhe për dhënien e pëlqimeve ujore për urën mbi lumin Burimi (Murzhica), për kompleksin e vikend-shtëpizave të NN. “Fitorja”, me pronar Tahir Malokun, për kompleksin “Stella Consulting”, si dhe për kompleksin e vikend-shtëpive me pronar Blerim Imeri.

Ndërsa, të akuzuarit Halimi dhe Hyseni sipas aktakuzës po akuzohen se nuk i kanë përmbushur detyrat zyrtare, në atë mënyrë që nuk kanë ndërmarrë veprimet ligjore-ekzekutive për të ndaluar ndërtimet e vikend-shtëpive dhe objekteve hoteliere në Parkun Kombëtar “Sharri” – vikend zona e Brezovicës, edhe pse ishin në dijeni se objektet ishin duke u ndërtuar pa pëlqime mjedisore dhe në afërsi të lumit.

Po ashtu, ngarkohen edhe për disa ndërtime edhe në zonën e dytë të Parkut, pasi që inspektorët kishin kryer veprimet inspektuese të ndërtimeve rreth lumit Burimi (Murzhica), të cilat ishin duke u ndërtuar në kundërshtim me Ligjin për Ujërat e Kosovës, Ligjit për Mbrojtjten e Mjedisit, Ligjit për Vlerësimin e Ndikimit në Mjedis, Ligjit për Parkun Kombëtar “Sharri”, si dhe Planin Hapësinor për po të njëjtin park.

Si pasojë e këtij mosveprimi, sipas aktakuzës, janë ndërtuar objekti hotelier dhe vikend-shtëpitë e NN “Stella Consuling”, objekti hotelier “Rimida” dhe vikend-shtëpitë me pronar Rijad Hasanin, objektet hoteliere “Rezonanca” (tani “Brezovica”) me pronar Arian Idrizaj dhe “Kaona Hotel”, po ashtu edhe vikend-shtëpitë e NN “Hit-Imperial” me pronar Fatmir Grainca, NN “Hic-Holing” me pronar Naser Kelmendin, NN “Fitorja”, si dhe ato të Blerim Imerit.

Me këtë, Çitaku, Halimi dhe Hyseni po akuzohen se kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422, par.1 të lidhur me par.2,. nënpar.2.2. të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Gjithashtu, Halimi akuzohet edhe se në kundërshtim me ligjin ka nxjerrë vendimin e 6 gushtit 2020, me të cilin ka anuluar aktvendimet administrative të Inspektoratit të Mjedisit, Ujërave, Natyrës, Planifikimit Hapësinor dhe Ndërtimit, si dhe vendimet e shkallës së dytë të komisionit të MMPH-së, me të cilat vendime ishin ndërprerë punimet në objektet ndërtimore hoteliere të “Rock” me pronar Hysein Ajdinin, NN “Stella Consullting”, NN “Kaona Hotel”, si dhe vikend-shtëpive të pronarëve Fatmir Grainca, Ruzhdi Aliu, e të tjerë.

Akti akuzues thotë se këto vendime ishin nxjerrë pas inspektimit të jashtëzakonshëm të Inspektoratit të Ministrisë, në bashkëpunim me Prokurorin e Shtetit dhe Drejtorinë e Krimeve të Rënda në Prishtinë.

Me këtë, Halimi akuzohet se ka kryer edhe veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414, par.1 të KPRK-së.

Ndërkaq, Çitaku po akuzohet edhe për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose në posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366, par.1 të KPRK-së.

Sipas aktakuzës, më 6 janar 2022 në shtëpinë e tij në Prishtinë, me rastin e zbatimit të urdhër-kontrollit nga policia, është gjetur një pistoletë e tipit “Zastava” me një karikator dhe 6 copë fishekë, një kuti me 20 fishekë të kalibrit 9mm, një qese me 11 fishekë të kalibrit 6.35 mm, si dhe një mbajtëse e armës për pistoletë, të cilat janë konfiskuar nga Policia.

Ndryshe, Çitaku ka qëndruar në masën e paraburgimit nga 6 janari 2022 deri më 14 qershor 2022, kurse tani gjendet në arrest shtëpiak, masë e cila skadon me 24 dhjetor 2022. Kurse, Halimi ka qëndruar në masën e paraburgimit nga 6 janari 2022 deri më 4 prill 2022, kurse i akuzuari Hyseni po mbrohet në liri.

“Betimi për Drejtësi” në vazhdim do të sjellë detaje të tjera rreth aktit akuzues në rastin “Brezovica 1”.

Më herët “Betimi për Drejtësi” ka sjellë detaje nga akti akuzues për ish-kryetarin e Komunës së Shtërpcës, Bratislav Nikoliq si dhe për të akuzuarit Dimitrije Recicevic, Hysni Bajrami dhe Dragomir Milosavljeviq.

“Betimi për Drejtësi”, më 20 tetor 2022 ka raportuar ekskluzivisht për listën prej 75 pronave të sekuestruara në aksionin e fundit të prokurorit Rasim Maloku në Brezovicë, e cila përmban emra pronarësh të gjykatësve të të gjitha niveleve, politikanëve, biznesmenëve si dhe qytetarëve të tjerë.

Më pas, gjykatësi Shaqë Curri ka konfirmuar se gjykata ka aprovuar kërkesën e prokurorit, duke urdhëruar sekuestrimin e përkohshëm të 75 pronave në Brezovicë.

Më 12 nëntor 2022, “Betimi për Drejtësi”  ka sjellë një hulumtimin ekskluziv për ndikimet në rastin e famshëm “Brezovica”, ku janë sekuestruar villa me pronarë politikanë, gjyqtarë e biznesmenë, ku prokurori i rastit, Rasim Maloku ka dhënë detaje rreth vazhdimit të hetimeve në këtë rast.

Pas hulumtimit të “Betimi për Drejtësi” lidhur me ndikimet në rastin “Brezovica”, ka reaguar edhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e cila tha se hetimet që po zhvillohen në këtë rast janë ndër më të rëndësishmet në luftën kundër korrupsionit që nga shpallja e pavarësisë dhe se keqpërdorimit të detyrës zyrtare dhe ushtrimit të ndikimit për të penguar proceset hetimore, duhet t’i japim fund sa më shpejtë.

Kurse, më 2 dhjetor 2022, Prokuroria Themelore në Ferizaj ka raportuar se ka vazhduar aksioni i sekuestrimit të villave në Zonën e III-të të Brezovicës.