Serhou Guirassy ishte ndër surprizat më të bukura të sezonit në Bundesliga. Sulmuesi nga Guinea shënoi 28 gola në kampionatin gjerman, duke dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në kualifikimin e Stuttgartit në Champions League.
Më shumë se 28-vjeçari shënoi vetëm Harry Kane (36), rekordmeni i Bayern Munich. Performancat pozitive kanë ndikuar që të jenë të shumtë klubet që kërkojnë shërbimet e Guirassyt.
Milani e ndjek prej kohësh, por jo vetëm. Së fundmi garës i është bashkuar edhe Borussia e Dortmundit. Finalistët e Championsit kanë piketuar afrikanin si përforcimin e duhur në repartin ofensiv.
Klauzola e lojtarit të lindur në Francë, nuk shkon më shumë se 18 mln euro. Shumë që verdhezinjtë gjermanë nuk e kanë aspak problem ta paguajnë.
Drejtuesit e Dortmundit ndodhen në bisedime të avancuara me homologët e Stuttgartit dhe së shpejti pritet të vijë zyrtarizimi i transferimit të sulmuesit në “Signal Iduna Park”.