Të gjitha punët duhet të kryheshin në vitin 2020, por ato nuk u kryen as në këtë vit. Për shkak të disa problemeve, Komuna e Prishtinës ka përmbyllur kontratën “Ndërtimi i parqeve rekroativo-sportive, renovimi i kompleksit ‘Qafa’”.
Në tetor të vitit 2019 ishte përuruar fillimi i projektit i cili i ishte dhënë për ndërtim kompanisë “Rexha” shpk, në një vlerë prej 883,783.42 euro. Plani dinamik ishte 210 ditë, shkruan lajmi.net.
Mësohet se komuna është tërhequr nga ky projekt për shkak të problemeve me banorët në zonën 2 dhe 4. Problemi me banorët e këtyre dy zonave është shfaqur që në start të projektit. Banorët nuk kanë lejuar mbarëvajtjen e punimeve, pasi nuk kanë dashur të ndërhyhet në parkingje duke konsideruar se nëse rregullohen ato do i marrë përsipër ndërmarrja ‘Prishtina Parking’.
Komuna e Prishtinës, e cila tash udhëhiqet nga kryetari Përparim Rama, ka refuzuar të përgjigjet lidhur ecurinë dhe procedimin e mëtejmë të këtij projekti.
Sipas raportit të Komunës së drejtorisë së Investimeve Kapitale që e ka parë lajmi.net, aty janë punuar ulëset në zonën 1 dhe zonën 3, montimi i tavolinave në zonën 1 dhe zonën 3, mbjellja e pemëve në zonën 1 dhe në zonën 3 dhe punimi i ulëseve dhe ndriçimit në zonën 1 dhe 3. Pra në zonat 2 dhe 4 të kësaj zonë nuk është punuar fare, apo afërisht janë kryer rreth 60 për qind e punëve.
Mësohet se kompanisë i janë paguar tetë situacione, plus një situacion i punëve shtesë. Vlera e pagesave është mbi 500 mijë euro.
Lajmi.net ka mësuar se zyra e prokurimit komunal nëpërmjet e-mailit, ka kërkuar para disa javëve nga kompania “Rexha” nëse janë të pajtimit për shkëputje të kontratës.
Hartimi i këtij projekti ishte bërë nga studentja e Fakultetit të Ndërtimtarisë dhe Arkitekturës, Yllkë Kosumi.