Presidenti i Këshillit të Bizneseve të Rajonit të Gjilanit Avokat Arsim Vranovci sot, zyrtarisht, e ka dorëzuar kërkesën/propozimin në Universitetin Publik “Kadri Zeka” përmes secilës, ai e nominon ish Presidentin e SHBA-ve George W. Bush që t’i ndahet titulli Doctor Honoris Causa nga Universiteti Publik “Kadri Zeka” në Gjilan për rolin e tij vendimtar që solli shpalljen e pavarësisë së Republikës së Kosovës, e cila mbetet ngjarja më rëndësishme e Republikës tonë.
Kjo kërkesë u aprovua unanimisht nga senati i Universitetit Kadri Zeka, ndërsa procedura e pranimit dhe ndarjes së këtij çmimi nga Presidenti Bush mbetet të realizohet në një të ardhme, e koordinuar nga Universiteti Publik “Kadri Zeka”.
Me rastin e dorëzimit të kërkesës/propozimit, Presidenti Vranovci ishte i shoqëruar edhe nga themeluesit dhe anëtaret e Bordit të Këshillit të Bizneseve të Rajonit të Gjilanit. Presidenti Vranovci ka theksoi se do të vazhdoj me veprime e aktivitete të tilla edhe në të ardhmen që promovojnë zhvillim dhe afirmim të popullit shqiptar dhe të Kosovës në rrafshin ndërkombëtar.
Arsyeja e përzgjedhjes së Universitetit Publik “Kadri Zeka” në Gjilan sipas Presidentit Vranovci nuk është e rastësishme. Sipas tij, rajoni i Gjilanit është i njohur si sektori amerikan, i cili vazhdon të jetë nën kujdesin e shtetit amerikan për ruajtjen e paqes dhe sigurisë sipas ndarjes së përgjegjësive në kuadër të forcave të KFOR-it. Prandaj, ky ka qenë motivi kryesor i Presidentit Vranovci që të ndërmarrë hapa në drejtim të njohjes së kontributit të pashoq të personaliteteve të shquara si Presidenti George W. Bush, i cili zë vend të veçantë dhe meritor në historinë e Kosovës, lidershipi dhe roli i të cilit ishte thelbësor në rrugëtimin tonë historik drejt shpalljes së pavarësisë së Kosovës, e cila u bë realitet me 17 shkurt të vitit 2008.
Për më tepër, Presidenti Vranovci shtoi se edhe përzgjedhja e propozimit për Presidentin Bush ka qenë e qëllimtë dhe e frymëzuar nga mbështetja e tij dhe e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Kosovën. Mbështetje kjo që vazhdon dhe mbetet e palëkundur për vendin tonë, e cila u bë e ditur botërisht gjatë vizitës së tij në Tiranë në qershorin e vitit 2007, e cila ishte vizita e parë e një Presidenti amerikan në detyrë në Shqipëri, e ku Presidenti Bush ishte i prerë në deklarimin e tij se “Herët apo vonë, duhet të thoni mjaft. Kosova është e pavarur!”