Sporti

Dorëheqja e Abramovich nga Chelsea, anglezët zbulojnë “rrengun” e mikut të Putin për të evituar sanksionet

02/27/2022 08:07
nga:L J

Roman Abramovich bëri të ditur sot se tërhiqej nga pozicionet ekzekutive në drejtimin e klubit të Chelseat duke ia dorëzuar atë Fondacionit të Bamirësisë të bluve.

Por në Angli, një deklaratë e tillë është interpretuar si rrengu më i fundit i miliarderit rus, për të evituar sanksione të rënda që mund të kishin pasoja të mëdha edhe në klubin londinez ku ai ka investuar shuma të rëndësishme gjatë dy dekadave.

Abramovich është akuzuar vazhdimisht si një nga bashkëpunëtorët e Vladimir Putin, por shteti anglez nuk kishte vendosur ende sanksione ndaj tij. Sipas “The Times”, nëse sanksionet do të vendosen ndaj Abramiovich, ky i fundit mund të shkatërrojë brenda ditës klubin londinez dhe qeveria populiste e Johnson nuk e do një gjë te tillë. Të gjithë paratë e investuara nga ai në klub, janë regjistruar si borxhe ndaj londinezëve dhe në momentin që ai do të kërkojë kthimin mbrapsht të “borxhit” të tij, një nga klubet më të famshëm në botë do të falimentonte brenda ditës.

Bëhet fjalë për një shifër prej rreth 1,5 miliardë paund dhe është e qartë se asnjë klub në botë nuk mund ta përballojë pagesën e menjëhershme të një borxhi të tillë. Kështu, Abramovich është siguruar që qeveria angleze nuk do të vendosë sanksione kundër tij, ndonëse ka pranuar që të mos jetë më në rolin e presidentit direkt të klubit. Pritet gjithsesi që ai të jetë pronar i klubit dhe të vazhdojë të investojë për të, për sa kohë që do të mbetet i paprekur nga sanksionet e tjera që do të lindin si pasojë e pushtimit rus të Ukrainës./ Panoramasport