Sporti

Donjet Shkodra flet për aventurën tek Gjilani: Jam pritur jashtëzakonisht mirë, skuadra ka shumë kualitet, tentojmë objektivat madhore këtë edicion

11/02/2021 17:11
nga:Lorik J

Donjet Shkodra, mesfushor i Gjilanit ishte një ndër transferimet më të mëdha në merkaton e verës në futbollin kosovar.

SC Gjilani siguroi shërbimet e tij në merkataton e fundit nga skuadra e Kazakistanit, FC Zhetysu. Tashmë lojtari ka filluar të luajë dhe të ndihmojë ekipin drejt objektivave që ka kampi gjilanas.

Shkodra, 32 vjeçar, mesfushor me shumë përvojë është një vlerë e shtuar e kampionatit kosovar dhe normalisht klubin nga Gjilani që udhëhiqet nga Ismet Munishi.

Futbollisti thotë se skuadra e Munishit e ka pritur jashtëzakonisht mirë, teksa shton se ndjen respektin e të gjithëve, teksa për të është nder që të luajë në kampionatin kosovar.

“Skuadra më ka pritur jashtëzakonisht mirë. Ndjej respektin e të gjithëve dhe për këtë po ndjehem shumë mirë. Stafi teknik dhe drejtuesit e klubit gjithashtu më kanë ofruar ngrohtësinë e nevojshme që të ambientohem sa më shpejtë në futbollin kosovar, pasi që për mua është hera e parë që luaj në këtë kampionat, pavarësisht që vi nga Kosova”, tha fillimisht Donjet Shkodra për ‘GazetaBlic Sport’.

Shkodra beson se SC Gjilani ka një ekip me shumë kualitet dhe mundësitë për të tentuar diçka të madhe këtë edicion janë të mëdha.

“Kemi një skuadër me shumë kualitet. Kushtet brenda klubit janë të jashtëzakonshme dhe kemi të gjitha mundësitë për të pretenduar objektivat madhore të cilat i ka vendosur klubi dhe të cilat tashmë janë të njohura”, vazhdoi ai.

Në fund, 32 vjeçari tha se i gjithë grupi po bën të pamundurën që në fund t’i gëzojnë “Skifterat”, duke arritur objektivat e klubit.

“Është viti im i parë këtu dhe po ndjehem shumë i lumtur, pasi që historia më ndërlidh edhe më shumë me këtë klub. Kështu që personalisht, por edhe i gjithë grupi do të bëjmë të pamundurën për t’i gëzuar këta tifoz dhe në fund t’i arrijmë objektivat e klubit”, përfundoi ai.

/GazetaBlic Sport