Lajme

Donika Zogu nga Kosova bëhet pjesë e bordit këshillues rinor të Ursula von der Leyen

12/20/2025 17:52
nga:Sh R

Pas sinjaleve të fundit pozitive nga Brukseli, edhe rinia e Kosovës po merr hapësirë direkte në institucionet evropiane. Donika Zogu është bërë pjesë e President’s Youth Advisory Board, bordit të ri këshillues të të rinjve, i themeluar nga Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, me vendim të Komisionit më 25 qershor 2025.

Ky mekanizëm ka për qëllim që zëri i të rinjve të jetë pjesë përbërëse e politikave dhe vendimmarrjes së Bashkimit Evropian. Përmes këtij bordi, rinia e Kosovës ka mundësinë të paraqesë drejtpërdrejt ambiciet, idetë dhe shqetësimet e saj në institucionet evropiane.

Takimi i parë i bordit u zhvillua në Bruksel, ku u diskutuan tema kyçe për gjeneratën e re, përfshirë sigurinë digjitale, luftën kundër dezinformimit, pjesëmarrjen qytetare dhe rritjen e rolit të të rinjve në vendimmarrje.

Donika Zogu ka theksuar se anëtarësimi në këtë bord është një nder dhe mundësi e madhe për të sjellë një perspektivë më të gjerë të rinisë së Kosovës në proceset politike të Bashkimit Evropian, duke e konsideruar këtë hapësirë si platformë të rëndësishme për të përfaqësuar vendin dhe të rinjtë e tij.