Lajme

Donika Kadaj: Po i vrasim për të dytën herë

08/26/2021 20:02
nga:Gazeta Blic

Ish-deputetja e Kuvendit, Donika Kadaj-Bujupi, ka reaguar sërish për vrasjet e grave në Kosovë.

Përmes një shkrimi, Kadaj-Bujupi thotë që gratë po i vrasim për të dytën herë, teksa flet mbi reagimet e disa personave, pas vrasjes së 18 vjeçares nga Ferizaj.

Shkrimi i plotë:

Fakti që dhuna ndaj grave aktualizohet vetëm kur ajo mbërrin kulmin e saj, pra kur ndonjë grua vritet, tregon se as nuk po merremi si duhet e as sa duhet me këtë fenomen.

Në anën tjetër jemi dëshmitarë të deklarimeve pa fund që në të shumtën e herave, përmbajtja e tyre konfirmon se krimi nuk ishte rastësi, por se jemi shoqëri thellësisht patriarkale ku institucionet e drejtësisë pasqyrojnë saktësisht këtë mentalitet.

Kësaj radhe do të ndalesha te “rubrika e zezë”e deklarimeve për ngjarje si këto.

Ka një lloj reagimi që zakonisht buron nga grupe të ndryshme të burrave të cilët nuk lëshojnë rast e as temë pa e konfirmuar injorancen bashkë me poshtërsinë e tyre.

Disa më të sofistikuar e kanë të domosdoshme që ta shtojnë ndonjë mbiemer ekzotik pas fjalës grua. Këto reagime që në rastin më të mirë janë vec patetike, të japin përshtypjen se gratë nuk mund të ekzistonin ndryshe e pa këto ngarkesa, por vec brenda imagjinatës së kalbur patriarkale.

Të tjerët, në emër të tentim-ruajtjes së njëfarë imazhi prej kozmopolitani a poeti a të paktën të moderuarit e shoqërisë, (gjithsesi shumë të padijshëm), shpërndajnë parulla se si vajza na qenka lulja e shtëpisë, se në mënyrë që ta mbrojmë duhet t’i kontrollojmë telefonin apo edhe ta kërcënojmë dhëndrrin se nëse e prekë, të pret kanuni. (Por asnjëherë nuk i shkon dikujt në mend të bëjë thirrje për ndarje të barabartë të pronës si pikënisje e pavaresisë së gruas). Këta janë grupi që patriarkatin kinse tentojnë ta luftojnë, veçse edhe metodat prape i kanë patriarkale!

Dhe në fund, kemi llumin e shoqerisë.
Kemi ata të cilët duke qenë se këtu shteti nuk i merr seriozisht kërcënimet as fyerjet ndaj grave, e siç po shihet së fundi as marrjen e jetës, këta nuk ndalen së ofenduari viktimat e duke kërcënuar edhe ato të cilat me aq sa munden kërkojnë drejtësi, mbrojtje e trajtim njerëzor të grave nga shteti. Në këtë rast po i vrasin për të dytën herë gratë e vrara sidomos kur prokuroria nuk ndërhyn ne asnjë rast të sharjes, fyerjes e kercenimeve publike që vijnë nga këra burreca të kompleksuar.

Krejt në fund janë reagimet e institucioneve. Këto janë zakonisht deklarata qe nuk u mungon gjuha e duhur. Këtyre zakonisht u mungon koha dhe veprimi. Deklaratat e tyre që shprehin mospajtimin dhe dënojnë me fjalë krimet ndaj grave, shpallin edhe njëherë pasivitetin dhe bashkëfajsinë e tyre në krimet që po kryhen ndaj grave të Kosovës.