Lajme

Donika Gërvalla: E bëmë të qartë para Merkelit se Kosova s’kthehet para vitit 2008

09/15/2021 00:22
nga:Gazeta Blic

Shefja e diplomacisë kosovare, Donika Gërvalla, ka thënë se në takimin që pati me kancelaren gjermane, Angela Merkel, e kanë bërë të qartë se në procesin e normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, Kosova nuk kthehet para vitit 2008.

“Biseduam me zonjën Merkel edhe rreth normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë duke theksuar nevojën që Serbia të ballafaqohet me të kaluarën e saj dhe duke bërë të qartë se Kosova “nuk kthehet para vitit 2008” kur është fjala tek qëndrimi i Serbisë dhe e ardhmja e marrëdhënieve mes dy shteteve”, ka shkruar Gërvalla.

Ajo tha se në takim në fillim u bisedua në detaje rreth realitetit të ri politik në Kosovë dhe partneritetin dhe bashkëpunimin e gjatë dhe të frytshëm mes dy vendeve.

“Fillimisht, në suazat e një dreke të përbashkët pune, u diskutua rreth sfidave dhe të ardhmes së rajonit duke u përqendruar në proceset që lidhen me integrimin e shteteve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian”.

“Gjatë diskutimit rreth zhvillimeve rajonale në Ballkanin Perëndimor u theksua se Procesi i Berlinit është platforma e përbashkët gjatë procesit të integrimit të shteteve të Ballkanit Perëndimor në BE. Kryeministri Kurti theksoi po ashtu praninë së BE-së në iniciativa rajonale si të domosdoshme për rajonin”.

Gërvalla ka thënë se sundimi i ligjit, demokratizimi, ballafaqimi me të kaluarën dhe reciprociteti i të drejtave të pakicave u theksuan si te domosdoshme jo vetëm për një bashkëpunim më të mirë rajonal, por edhe në rrugën e shteteve të Ballkanit Perëndimor drejt BE-së.

“Znj. Merkel i transmetuam falënderimet dhe i shprehëm mirënjohjen e thellë të qytetarëve dhe qeverisë së Kosovës për angazhimin dhe mbështetjen e Gjermanisë në përgjithësi dhe në veçanti të znj. Merkel në momentet vendimtare për Kosovën”.