Lajme

Domosdoja për ndryshimet kushtetuese

04/09/2021 16:27
nga:M K

Kushtetuta e Kosovës, që më 9 prill shënohen 13 vjet që nga miratimi i saj në Kuvendin e Kosovës, tashmë ka nevojë për ndryshime, vlerësojnë Enver Hasani, ish-Kryetar i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës dhe Mimoza Kusari-Lila, shefe Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin e Kosovës, parti kjo e cila është në pushtet.

Por, megjithatë, ata vlerësojnë se faza e tanishme është mjaft e komplikuar për të bërë ndryshime kushtetuese, për shkak të kritereve të ashpra për diçka të tillë.

Vendimet e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, që nga fillimi i vitit të kaluar e deri më tash, i kanë prishur disa garanci dhe parametra kushtetues dhe për pasojë kanë prishur edhe sigurinë juridike, thotë Hasani.

Hasani: Kushtetuta po përdoret në mënyrë fiktive

Vendime të tilla të Gjykatës Kushtetuese, siç thotë Enver Hasani për Radion Evropa e Lirë, ishin: më 31 mars të vitit 2020, kur ajo shpalli të pavlefshme masat kufizuese të qeverisë për parandalimin dhe luftimin e pandemisë së koronavirusit; vendimi i 28 majit 2020, i cili çoi në rrëzimin e qeverisë së parë të kryeministrit aktual, Albin Kurtit; si dhe vendimi i 21 dhjetorit që rrëzoi qeverinë e Avdullah Hotit.

Të gjitha këto, sipas Hasanit, kanë ngritur nevojën e ndryshimeve kushtetuese, në mënyrë që përmes amandamenteve kushtetuese të qartësohen garancitë kushtetuese, të suprimohen apo të rikonfirmohen ato, si dhe të precizohet saktë kuptimi i dispozitave, të cilat janë ndikuar nga vendimet e fundit të Gjykatës Kushtetuese dhe të cilat çuan në rrëzimin e dy qeverive brenda një viti.

Juridiksioni i Gjykatës Kushtetuese, siç thotë Hasani, është i qartë, por, vitin e fundit është shpërfaqur “një joprofesionalizëm i theksuar në këtë institucion”, për shkak se është përmbysur standardi dhe është bërë vlerësimi se a është kushtetuta në pajtim me ligjet dhe jo anasjelltas. Kjo, sipas tij, është vetëm një nga arsyet për amandamentimin e Kushtetutës, në mënyrë që Gjykatës Kushtetuese t’i precizohet juridiksioni sa i përket burimeve të së drejtës kushtetuese.

“Një arsye tjetër pse duhet të ndryshojë Kushtetuta është për t’ia precizuar juridiksionin Gjykatës Kushtetuese për sa i përket parametrave të vlerësimit të kushtetutshmërisë. Po e them këtë, sepse Gjykata Kushtetuese i ka humbur, i ka përzier, i ka ngatërruar parametrat bazik për vlerësim të kushtetutshmërisë aq shumë, sa që më Kushtetuta është duke u përdur vetëm në mënyrë fiktive si parametër. Ndërkohë, janë duke u përdorur ligjet e rregullta sistemore, raportet e Komisionit të Venedikut, punimet përgatitore që nuk kanë asnjë vlerë juridike as te ne e as kërkund në botë dhe nuk mund të shërbejnë si burim i së drejtës”, tha Hasani.

Ai shtoi që në pjesën e organeve kushtetuese, faktori ndërkombëtar nuk ka pasur dorë dhe për pasojë ato janë të paqëndrueshme. Prandaj, sipas tij, duhet të precizohen qartë dispozitat për kuvendin dhe ekzekutivin, ndërkaq që formimi i këtij të fundit duhet të precizohet me dispozita të njëjta dhe të qarta edhe për shkak të efekteve që i ka sistemi zgjedhor në këtë kontekst.

Kusari-Lila: Gjykata Kushtetuese ka krijuar pasiguri juridike
Mimoza Kusari-Lila, shefe e Grupit Parlamentar të partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje, thotë se ditë më parë kjo parti e ka inicuar në Kuvendin e Kosovës idenë për ndryshimin e Ligjit për zgjedhje, në raport me të drejtën dhe format e votimit të mërgatës.

Shkaqet e kësaj nisme, sipas saj, janë vendimet e Gjykatës Kushtetuese në vitin fundit, të cilat siç thotë ajo, kanë krijuar precedente të reja, ndërkaq që interpretimet e saj kanë krijuar norma të reja ligjore dhe kushtetuese.

“Kanë krijuar pasiguri juridike për rrethanat, të cilat krijohen apo për vakumet, që mund të krijohen si pasojë e këtyre interpretimeve. Ne e kuptojmë që Kosova, si një shtet i ri, ka nevojë për plotësime të vazhdueshme. Por, kjo ka nxjerrë në pah domosdonë e specifikimit të mëtutjeshëm të legjislacionit të Kosovës, përderisa ekzistojnë specifika të veçanta, por jo për ligjet. Prandaj, ideja është që të kemi ligje sa më shumë, e para, të specifikuara dhe të sakta, në mënyrë që të ngushtojnë hapësirën e interpretimeve të ndryshme, varësisht prej rrethanave politike”, tha Kusari-Lila.

Por, ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, thotë se Ligji për zgjedhjet nuk mund të ndryshohet dhe plotësohet, për shkak se tashmë lidhur me këtë ligj është bërë një precedent nga Gjykata Kushtetuese.

“Në momentin që Gjykata Kushtetuese e ka futur Ligjin për zgjedhjet, në mënyrë tërësisht të gabuar, në aktgjykimin e saj të fundit, me të cilin ia ndaloi Kurtit të kandidaojë për deputet, ajo më nuk është normë ligjore dhe nuk mund të ndërrohet me ligj, por vetëm me amandament kushtetues. Këto janë arsyet që unë mendoj se e bëjnë të domosdoshëm ndryshimin, përkatësisht amandamentimin e Kushtetutës, sepse vetëm me amandamente kushtetuese mund të rregullohen parregullsitë që i ka krijuar Gjykata Kushtetuese”, vlerësoi Hasani.

Ndryshimet kushtetuese, proces i komplikuar

Për ndryshimet kushtetuese janë të domosdoshme dy të tretat e votave të 120 deputetëve të Kuvendit të Kosovës, si dhe dy të tretat e deputetëve të komuniteteve joshumicë. Aktualisht, 10 vende të garantuara për përfaqësuesit e komunitetit serb apo 50 për qind të vendeve të garantuara për komunitetet joshumicë në tërësi, i mbanë Lista Serbe.

Kusari-Lila shpreh mendimin që kjo e bën të komplikuar procesin e eventual për ndryshime kushtetuese, të paktën në fazën e tanishme.

“Për shkak të formave dhe mënyrës se si janë paraparë ndryshimet kushtetuese, mund të ketë implikime apo ndikime, të cilat mund të jenë të paparashikueshme. Prandaj, sipas periudhave kohore dhe rrethanave që do të krijohen, do të shohim eventualisht në një të ardhme, se a do të ketë hapësirë për ndryshime kushtetuese”, theksoi Kusari-Lila.

Por, siç vlerëson Hasani, çështjet, të cilat ai i përmendi se kanë nevojë për ndryshime kushtetuese, nuk i prekin interesat e komuniteteve joshumicë.

“Nuk besoj që serbët do të bënin problem për këtë. Por, unë besoj që ata do të kenë rezerva për ndryshime, për shkak se ata shpresojnë që ndryshimet kushtetuese duhet të jenë si pasojë e dialogut me Serbinë. Dhe përnjëherë, kur të ketë nevojë për ndryshime të tilla, për shkak të dialogut, ata shpresojnë që në një rast të tillë, të pajtohen edhe për ndryshimet tjera, siç janë këto të natyrës për të cilat biseduam”, theksoi Hasani.

Në vitin 2018, Lista Serbe i pati kundërshtuar ndryshimet kushtetuese për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në ushtri.

Kushtetuta e Kosovës është miratuar nga kuvendi i saj më 9 prill të vitit 2008, ndërkaq më 15 qershor të po atij viti, hyri në fuqi.

Ajo është amandamentuar në vitin 2012, lidhur me përfundimin e mbikëqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë së Kosovës.

Për herë të fundit Kushtetuta është amandamentuar në shtator të vitit 2020, duke përfshirë Konventën e Këshillit të Europës për parandalimin dhe luftimin e dhunës kundër grave dhe dhunës në familje.

LEXO EDHE:

Vjosa Osmani pas diplomimit të kadetëve kosovarë në Britani të Madhe: Ditë krenarie sot!