Sporti

Oliver Kahn flet pas humbjes nga PSG: Bayerni nuk meritoi të humbte

04/08/2021 14:47
nga:Mergim Rreci

Skuadra e Paris Saint Germain ka fituar në udhëtim ndaj Bayern Munich në ndeshjen e parë çerekfinale të Ligës së Kampionëve.

Ekipi i Mauricio Pochetinos ka fituar ndaj Bayernit në udhëtim në “Allianz Arena” me rezultatin 2-3, shkruan GazetaBlic Sport.

Kjo ishte një ndër ndeshjet më interesante të Ligës së Kampionëve këtë edicion, të cilën në fund e fituan mysafirët.

Kylian Mbappe dy herë dhe Marquinhos shënuan për Paris Saint Germain, kurse Choupo Mouting dhe Thomas Muller realizuan për bavarezët.

Ish-kapiteni i Bayernit, aktualisht anëtar i bordit drejtues në skuadrën gjermane, Oliver Kahn, tha pas ndeshjes dramatike ndaj Parisit se skuadra e tij nuk meritonte kurrsesi të humbiste mbrëmjen e së mërkurës.

“Nuk kam fjalë, pësuam gol që në start dhe më pas arritëm të barazonim në mënyrë spektakolare. Por, në fund ata shënuan sërish dhe ne nuk arritëm të shfrytëzonim rastet e pastra që kishim. Humbja ishte e tepërt.

Flick? Nuk e di se çfarë do të bëjë, ai kërkon të fokusohet te sezoni i tanishëm. Për atë që vjen do të flasim më vonë. Është ende herët për të bërë parashikime”, tha Oliver Kahn për mediat gjermane pas disfatës në shtëpi ndaj francezëve të Parisit.

/GazetaBlic/