Lajme

Dokumenti i historianit amerikan që komprometon figurën e Xhafer Devës

02/08/2022 11:19
nga:Gazeta Blic

Historiani amerikan, Christopher Simpson, e ka bërë përgjegjës Xhafer Devën, ish-ministrin e Brendshëm të Shqipërisë gjatë pushtimit gjerman, për deportimin e hebrenjve në kampet naziste.

Simpson, në librin e tij të titulluar: “Rekrutimi i nazistëve nga Amerika dhe efekti i tyre në Luftën e Ftohët”, shkruante se Deva – si një nga themeluesit e divizonit SS (Skanderbeg) – ishte përgjegjës në dëbimin e rreth 800 hebrenjëve në kampe naziste në Poloni.

Sipas ekspertit amerikan Christopher Simpson, ai ishte përgjegjës edhe për deportimin e partizanëve dhe komunistëve.

Christopher Simpson është një reporter, historian dhe analist. Puna e tij ka fituar çmime kombëtare për gazetarinë investigative, historinë dhe letërsinë në ShBA.

Politikani nga Mitrovica, Xhafer Deva, ka marrë vëmendje tash, gati 44 vjet pas vdekjes së tij.

Pas gjithë kësaj kohe, Ministria e Kulturës në Kosovë ka marrë përsipër ta restaurojë shtëpinë e dikur ministrit të Punëve të Brendshme të Shqipërisë.

Por, ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, ka reaguar me shqetësim pas lajmit për restaurimin e shtëpisë së Xhafer Devës, duke treguar se ai kishte qenë bashkëpunëtor i nazistëve që e kryen Holokaustin, gjenocidin ndaj hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore.

“Shumë i shqetësuar për planet e restaurimit të shtëpisë së Xhafer Devës, një bashkëpunëtor/protagonist i njohur nazist i SS famëkeq Skënderbeg Div. S’ka zbardhje të historisë! Mos e shtrembëroni të vërtetën në lidhje me Holokaustin ose krimet e luftës të kryera nga nazistët dhe bashkëpunëtorët vendas #MbroFaktet”, ka shkruar Rohde.

Projekti i MKRS-së është paraparë të përfundojë në fund të këtij viti. Kostoja e restaurimit është paraparë të jetë 300 mijë euro.