Një “hallakamë” e madhe u bë dje në lidhje me delegatët do të përfaqësojnë klubin e Ulpianës në zgjedhjet e 6 prillit në FFK.
Klubi i Ulpianës njoftoi dje me një komunikatë se delegatët do të jenë Ylli Jashari dhe Enver Duriqi, shkruan GazetaBlic Sport.
Por çështja nuk është e thjeshtë siç duket, pasi në klub janë të ndarë në bindjen për kryetarin e ardhshëm të FFK’së.
Një palë e KF Ulpianës mendon se Ylli Jashari, delegati i vendosur nga klubi, është i pezulluar dhe nuk duhet të jetë prezent në zgjedhjet e 6 prillit.
Në dokumentin e siguruar shihet se zv-presidenti i KF Ulpianës, Bujar Shabani e ka pezulluar nga puna Ylli Jasharin dhe se ai nuk përfaqëson klubin nga Lipjani. Vendimi për ndryshim të delegatit është marrë me datën 14.03.2022 dhe është i vulosur e nënshkruar nga Shabani.

E në atë ndryshim, duket se vendin e Jasharit do ta zë pikërisht zv-presidenti, Bujar Shabani.
Vendimi nga klubi i KF Ulpianës në lidhje me këtë hyri në fuqi me datën 14.03.2022, gjithnjë sipas zëvendë-presidentit.

Ndërkohë, presidenti i klubit, Abedin Salihu kishte dhënë dorëheqje me 20 dhjetor 2021 sipas një dokumenti të siguruar. Dokumenti i dorëheqjes është protokolluar nga Komuna e Lipjanit. Pala e Bujar Shabanit vlerëson se ai e drejton tani klubin pas dorëheqjes së Salihut. Por pala tjetër thotë se Abedin Salihu është ende kryetar dhe se delegatë janë Duriqi e Jashari.
/GazetaBlic Sport



