Ai ishte një matematicient dhe student premtues i mjekësisë, por kishte një ves që i mori jetën.
Ai kishte lindur në Kosovë, por në nëntor të vitit të kaluar i ka dhënë fund jetës duke u vetë djegur në sy të djalit të adoleshent. E vërteta u zbulua vetëm sot. Dailymail shkruan se 53-vjeçari shqiptar e ka ndërmarrë aktin e rëndë për shkak të borxheve të mëdha në të cilat ishte futur.
Bylent ‘Bill’ Troshupa, 53 vjeç me origjinë nga Prishtina, i cili u largua nga Kosova për shkak të regjimit të ish-Jugosllavisë drejt Londrës, kishte 250,000 paund apo 295 mijë euro borxhe në kumar.
Ai kishte humbur mijëra baste pasi luante rreth 12 orë në ditë gjatë pandemisë me firma të ndryshme përfshirë “William Hill” dhe “888”. Për shkak të problemeve që kishte pasur, ai ishte divorcuar dhe e kishte të ndaluar ta takonte ish-gruan Julie Martin, 51 vjeç. Edhe djalin që kishte me të, të moshës 16 vjeç, nuk mund ta takonte pasi me urdhër gjykate duhet t’i qëndronte larg sepse nuk konsiderohej një prind i përkushtuar dhe i kujdesshëm për fëmijën.
Ai shkoi në shtëpinë ku jetonte ish-gruaja me të birin nëntorin e kaluar teksa në dorë mbante një bidon me benzinë dhe shkrepse. Troshupa filloi ta përplaste derën dhe i vuri flakën vetes. 16-vjeçari telefonoi të ëmën dhe i tregoi se babai i kishte vënë flakën vetes.
51-vjeçarja nxitoi për në shtëpi por ish-bashkëshortin e gjeti të shtrirë në tokë dhe të përfshirë nga flakët. Shërbimet e urgjencës luftuan për 90 minuta në vendngjarje përpara se ai të intubohej dhe të fluturonte me helikopter drejt spitalit Broomfield. Orë më vonë, ai pësoi arrest kardio-pulmonar dhe vdiq në orën 01:30 të mëngjesit. Mjeku ligjor i lartë Lincoln Brookes e cilësoi aktin si vetëvrasje në gjykatën e mjekëve të Chelmsford.
Shkaku u zbulua pas kritikave që morën ministrat në lidhje me çështjen e rregullores së lojërave të fatit. Martin, e cila është bërë një aktiviste e zëshme për viktimat e varësisë ndaj lojërave të fatit, tha për Daily Mail se “qeveria duhet t’i përshpejtojë veprimet”.
“Kjo nuk ka të bëjë me vdekjen e burrit tim. Kjo më ka prekur mua, ka prekur fëmijët tanë, ka prekur familjen e tij. Por kjo është vetëm maja e ajsbergut, ka mbi 400 vetëvrasje çdo vit dhe mijëra të tjera me anti-depresivë dhe probleme të shëndetit mendor që vuajnë,”- tha ajo ndër të tjera.


