Lajme

Doganat dhe sigurimet, Kosova drejt ratifikimit të dy marrëveshjeve me Shqipërinë

02/16/2022 18:10
nga:Gazeta Blic

Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere i Kuvendit të Kosovës miratoi dy Projektligje që thellojnë bashkëpunimin me Shqipërinë.

Bëhet fjalë për marrëveshje të firmosura nga dy qeveritë përkatëse në mbledhjet e përbashkëta që kanë të bëjnë me zbatimin e lehtësirave doganore dhe të kontrollit të mallrave si dhe me sigurimet shoqërore. Ministri i Financave i Kosovës, Hekuran Murati, shpjegoi të mirat që sjellin këto marrëveshje. Fillimisht atë për lehtësirave doganore.

“Kjo marrëveshje e lehtëson edhe transportin e mallrave dhe zhdoganimi mund të bëhet edhe në Portin e Durrësit në zyrën e doganës së Kosovës meqenëse atje do të hapet dhe do të mundësohet procedura e zhdoganimit të mallrave. Njëkohësisht kjo ka edhe protokolle të tjera që lehtësojnë tregtinë”, tha Hekuran Murati, ministër i Financave i Kosovës.

Më pas atë të sigurimeve shoqërore. “Me këtë projektligj qytetarëve që kanë punuar në kohë të gjatë në Republikën e Shqipërisë do t’iu mundësohet se pas arritjes së moshës së pensionit të kenë të drejtë që këtë pension të marrin në Kosovë. Qytetarëve kosovarë do t’iu mundësohet e drejta për t’i bashkuar periudhat e kontributeve në mënyrë që të realizojnë pensionin në rastin kur nuk është e mundur të plotësojnë kushtet ligjore qoftë në Kosovë, apo Shqipëri”.

Pavarësisht mbështetjes në parim, opozita kërkoi më tepër sqarime nga ministri, të cilin e gjetën të papërgatitur. “Jemi njerëz dhe po mundohem me kuptuar ministrin dhe me i hap rrugën. Edhe ministri mund të vjen ndonjëherë i papërgatitur”, tha Avdullah Hoti, deputet i LDK.

“Kjo është shqetësuese si vjen në Komision me u përballë me pyetjet dhe nuk jeni i përgatitur”, u shpreh Mërgim Lushtaku, deputet i PDK.

Ndërkohë, që të nisë zbatimi i plotë i tyre, dy marrëveshjet do të ratifikohen edhe në kuvendin e Kosovës.