Lajme

Dogana zbulon mallra të kontrabanduara të tekstilit me vlerë 13 mijë euro në rajonin e Prizrenit

02/12/2024 19:42
nga:G B

Dogana e Kosovës ka bërë të ditur, se sot në Prizren njësitet Antikontrabande të Doganës së Kosovës kanë organizuar ndalesa rrugore me qëllim të identifikimit të automjeteve të dyshimta si dhe potencialisht mallra të kontrabanduara.

Me këtë rast, është ndaluar një automjet transportues që transportonte mall pa dokumentacion dhe që dyshohet se është kontrabanduar në Kosovë. Konkretisht, bëhet fjalë për tekstil-veshmbathje në sasi prej 1,160 artikujve me vlerë rreth 13,000 euro.

Këto mallra po ashtu shkelin të drejtën e pronësisë intelektuale duke qenë marka të falsifikuara. Tē gjitha mallrat jane konfiskuar derisa ndaj personave përgjegjës është iniciuar procedura kundërvajtëse.

Njësitet e Doganës së Kosovës po vazhdojnë përpjekjet e tyre për të zbuluar dhe ndaluar veprimtarinë e paligjshme të kontrabandës dhe për të mbrojtur interesat e ligjshme të vendit tonë.