Lajme

Dogana sekuestron telefona dhe medikamente në vlerë prej 15 mijë eurove

11/22/2024 15:50
nga:N K

Dogana e Kosovës ka njoftuar se gjatë javës së kaluar në katër raste të ndara ka sekuestruar mallra të padeklaruara në vlerë prej 15 mijë eurove në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës.

Në dy raste nga Dogana e Kosovës thuhet se janë sekuestruar pajisje teknologjike kurse në dy të tjera medikamente të ndryshme.

“Prishtinë, 22 nëntor 2024 – Dogana e Kosovës ka shtuar përpjekjet për të parandaluar kontrabandën dhe veprimtaritë e paligjshme në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”. Gjatë javës së kaluar, kontrollet rigoroze kanë rezultuar me zbulimin dhe sekuestrimin e mallrave të padeklaruara në katër raste të ndryshme, me një vlerë totale prej rreth 15,000 euro.

– Dy raste të pajisjeve teknologjike, përfshirë telefona celularë dhe aksesorë elektronikë.

– Derisa raste të tjera me medikamente të ndryshme, të cilat nuk janë deklaruar sipas procedurave doganore.

Të gjitha produktet janë sekuestruar derisa palët janë në procedura kundervajtëse.

Dogana e Kosovës mbetet e përkushtuar për të forcuar kontrollet kufitare, duke përdorur teknologji të avancuar dhe analiza të thelluara të riskut. Këto masa synojnë të sigurojnë tregti të ndershme, të mbrojnë interesat ekonomike të vendit dhe të rrisin sigurinë për të gjithë qytetarët”, thuhet në postimin e Doganës së Kosovës.