Lajme

Dodik nga vetura iu tregon gazetarëve gishtin e mesëm

03/22/2022 12:22
nga:Astrit Gashi

Udhëheqësi i serbëve të Bosnjës dhe Hercegovinës edhe një herë ka demonstruar vulgaritetin dhe sjelljen e papranueshme të cilën një anëtar i Kryesisë së Bosnjës dhe Hercegovinës nuk guxon t’ia lejojë vetes, shkruan klix.ba.

Me rastin e arritjes së sotme në Prokurori të BeH, Dodik ka treguar gishtin e mesëm ekipeve të gazetarëve nga dritarja e veturës zyrtare.

Nuk mund të vlerësohet se kujt i është drejtuar me atë gjest, duke marrë parasysh se të pranishëm ishte një numër i madh i ekipeve të gazetarëve, por me siguri mund të konstatojmë se me këtë veprim ai ka dalë edhe nga kufijtë të sjelljeve të tij, me të cilat tashmë jemi mësuar, shkruan portali boshnjak.

Dodik sot do të deklarohet në Prokurori të BeH në lidhje me blerjen e një vile në Dedinje, lagjen ekskluzive të Beogradit.

Më herët ai ka deklaruar se kjo lëndë është nisur “për arsye politike” në mënyrë që të “largohet vëmendja nga ngjarjet në federatën e BeH, ku nuk është arritur të merret vesh për Ligjin e Zgjedhjeve”.