Lajme

“Doctor Honoris Causa” për kontributin në pavarësi, diplomaci e arsim për Enver Hoxhajn, vlerësohet nga akademikët dhe politikanët në Tiranë

11/25/2024 19:40
nga:G C

Kolegji Universitar Qiriazi vlerësoi me titullin “Doctor Honoris Causa” nënkryetarin e Kuvendit të Kosovës, Enver Hoxhaj.

Ky titull i lartë iu dha Hoxhajt për kontributin e tij në fushën e arsimit dhe shkencës gjithashtu për rolin e tij për Pavarësinë e Kosovës, si dhe kontrubutin e tij si Ministër i Jashtëm për njohjet ndërkombëtare të Kosovës si shtet.

“Është një nga figurat më të dashura dhe të spikatura, intelektual. Një mishërim i tiparëve të Rugovës dhe Thaçit, por i një kohe tjetër. Ka kontribute të çmuara në nxitjen e modeleve të qëndrueshme. Nderimi dhe vlërësimi është një nder dhe privilegj i veçantë për universitetin tonë”, tha Gjokë Uldedaj, rektor i Universitetit.

Hoxhaj shprehu mirënjohjen, për titullin “Doctor Honoris Causa”, ndërsa e cilësoi si të rëndësishëm pasi vlerësimi vjen në një moment të rëndësishëm për shqiptarët në prag të Festës së Flamurit.

“Jam shumë mirënjohës që bëhem pjesë e kësaj trashëgimie të madhe të motrave Qiriazi dhe Kristo Dakos. Do të jem në shërbim të misionit të universitetit me gjithë kapacitetin tim. Është një ditë e veçantë për mua dhe familjen time. Marrja e këtij titulli ndodh në ditën kur ne festojmë ngritjen e Shqipërisë së pavarur.”

Në ceremoninë e dhënies së titullit morën pjesë figura të politikës, medias, akademikë nga Shqipëria dhe Kosova.

“Është një bekim i madh që në këtë javë festojmë për flamurin, sot jemi mirënjohës për ty për veprën tënde. Po themelojmë institucionin e mirënjohjes.”, tha Erion Veliaj, kryetari i Bashkisë së Tiranës.

“Shumë e rëndësishme është profili njerëzor. Nga të paktë politikanë shqiptare që e ka ruajtur të paprekur këtë dimension.”, tha Bamir Topi, ish-president i Shqipërisë.

Të pranishmit vlerësojnë mbi të gjitha kontributin e Hoxhajt në fushën e arsimit si dhe rolin ne tij në krijimin e shtetit të pavarur në Kosovë.

Enver Hoxhaj është një nga politikanët më aktivë në Kosovë. Aktualisht postin e nënkryetarit të Kuvendit. Ai ka shërbyer më herët si ministër i Arsimit dhe i Jashtëm, ndërsa ka qenë pjesë e grupit negociator për shpalljen e Kosovës shtet të pavarur.

Ndërsa, vetë Enver Hoxhaj përmes një shkrimi në rrjetin social Facebook, ka thënë se ndihet i nderuar për këtë titull dhe ka shprehur mirënjohjen e tij ndaj të gjithë të pranishmëve, miqve dhe bashkëpunëtorëve që ishin folës nl ceremoni.

“I nderuar që pranova titullin e lartë akademik “Doctor Honoris Causa” nga Kolegji Universitar “Qiriazi” në Shqipëri. Ky vlerësim përfaqëson një moment të veçantë në jetën dhe karrierën time, por edhe një përgjegjësi për të vazhduar të kontribuoj në zhvillimin e diplomacisë, arsimit dhe shkencës. Mirënjohje e madhe për të gjithë të pranishmit, por veçanërisht për Rektorin Prof. Gjokë Uldedaj, si dhe të gjithë miqtë dhe bashkëpunëtorët që më nderuan me fjalët e tyre të ngrohta dhe motivuese. Me respekt dhe mirënjohje!”, ka shkruar Hoxhaj.