Dëshmitari Sokol Dobruna tha se nuk e di procedurën se si ka ndodhur emërimi i tij si Shef i Shërbimit Juridik brenda UÇK-së, por ai shtoi se kjo ka qenë kërkesë e Adem Demaçit.
“Me siguri masi më është është komuniku qashtu, unë procedurën nuk e di qysh është ardhë deri tek ajo, por unë e di që kërkesa ka qenë e Adem Demaçit”, tha Dobruna.
Kjo përgjigje e Dobrunës erdhi kur u pyet nga prokurori John Capin se a ka dijeni që ka pasur ndonjë urdhër nga Shtabi i Përgjithshëm për emërimin e tij në këtë pozitë.
Pas kësaj, kryetari i trupit gjykues Charles Smith III urdhëroi që të bëhet edhe një pushim tjetër prej dhjetë minutash.
Pas pushimit, Luka Mishetiq i cili përfaqëson ekipin mbrojtës të Hashim Thaçit, tha se gjatë pushimit patën komunikim inter-partes lidhur me Rregullën 155 të përdorur nga Prokuroria për pranimin e disa deklaratave si pjesë e provave gjyqësore.
“Ne si mbrojtje nuk e kundërshtojmë këtë. Sidoqoftë, ne do të donim që të bënim disa parashtrime lidhur me këtë. Ne do të diskutojmë mënyrën se si do të pranohen deklaratat dhe për këtë ne nga ana e mbrojtjes kemi nevojë për gjysmë ore kohë dhe do iu themi më konkretisht në orën 11:00”, tha Mishetiq.
Si rrjedhojë, seanca shkoi sërish në pushim për 30 minuta dhe u tha se do të fillojë në 11:00 me 45 minuta vonesë në transmetim.