Lajme

“Do të votojmë marrëveshjet ndërkombëtare”, “Arenë shfaqjesh” – Çka pritet në sesionin e ri të Kuvendit?

09/09/2024 10:16
nga:G C

Deputeti nga Partia Demokratike e Kosovës, Ferat Shala në një prononcim për GazetaBlic, u deklarua rreth sesionit të ri vjeshtor të Kuvendit.

Ai tha se sesioni që lëmë pas, ai pranveror nuk ka qenë mirë i planifikuar e as i përfunduar.

“Është e vërtetë e madhe që sesioni pranveror që kemi lënë ka qenë jashtëzakonishtë jo mirë i planifikuar, e jo mirë i përfunduar. Kemi pasur jashtëzakonishtë probleme që nga aspekti teknikë e deri te aspekti organizativ dhe menaxhues i sesioneve”, deklaroi ai.

Shala thotë se ka pasur probleme të natyrës sabotuese nga mazhoranca në seanca parlamentare, sipas tij shkak i pozicionit politik që ndjek mazhoranca.

“Praktikisht në seanca parlamentare kemi pasur probleme të natyrës sabotuese nga mazhoranca për shkak të pozicionit politik që ndjekin,  e këto sabotime dhe kjo situatë jorezulatitve për seancat parlamentare ka qenë edhe pjesa e renovimit të Kuvendit dhe loja me seancat në sallat alternative, e deri tek pjesa tjetër mosfunksionalizimi i asaj që është seancë plenare dhe miratimit të ligjeve. Pastaj pjesa tjetër që janë rënditur debatet parlamentare, ikja nga përgjegjësia, nga llogaridhënja e ekzekutivit e deri tek sabotimi i komisioneve hetimore parlamentare siç ka qenë me rastin me rezerva shtetërore dhe me rastin e ambalazhuesëve të cilët parimisht nuk janë futur me javë të tëra në rend të ditës dhe praktikisht kanë dështuar”, tha ai.

Sipas deputetit rreziku që sesioni vjeshtor të jetë edhe më i rëndë ekziston, duke marrë parasysh se tani janë të shpallura zgjedhjet parlamentare,  e siç thotë ai, mazhoranca ka filluar lojërat me shifra.

“Pra sesioni pranveror ka qenë krejtësisht i dështuar dhe rreziku është që edhe ky sesion vjeshtor do të jetë ndoshta ende më i rëndë, për faktin se tani më kemi edhe shpalljen e zgjedhjeve parlamentare dhe mazhoranca tashmë po shihet që veçse ka filluar lojën me numra, me shifra, krejt propagandë elektorale”, theksoi ai.

Shala tha se sesioni pranveror do të përcjellet me tensione politike dhe sipas tij edhe me ikje nga llogaridhënja e institucioneve si LVV-ja dhe Qeveria.

“Personalisht mendojë që sesioni vjeshtor do të karakterizohet me tensione politike dhe me ikjen nga përgjegjësia e llogaridhënies së institucioneve,  të atyre që parimisht do duhej të japin llogari që është LVV-je dhe qeveria. E kaluara na tregon që nuk kemi pasur konsistencë parlamentare, nuk kemi pasur atmosferë të debateve, nuk kemi pasur proces të mirëfilltë të negociatave parlamentare brenda, qoftë grupeve parlamentare, qoftë komisioneve parlamentare për temat e ekonomisë veçanërisht për temat politike”, përfundoi deputeti i PDK-së, Ferat Shala.

Deputeti i AAK-së, Pal Lekaj tha se në sesionin vjeshtor të Kuvendit pritet që deputetët të rikthehen dhe të fillojnë punën e tyre legjislative.

“Në sesionin e ri vjeshtor të Kuvendit, zakonisht pritet që deputetët të kthehen nga pushimet dhe të rifillojnë punën legjislative, duke përfshirë shqyrtimin dhe miratimin e ligjeve të reja, debatet parlamentare, dhe mbikëqyrjen e qeverisë. Kuorumi në Kuvend është i domosdoshëm për mbajtjen e seancave dhe marrjen e vendimeve, dhe kjo zakonisht kërkon praninë e shumicës së deputetëve”, deklaroi ai.

Lekaj tha se AAK-ja do të votojë marrëveshjet ndërkombëtare që duhet, ndërsa siç thotë ai është obligim i mazhorancës që të kujdeset për krijimin e kuorumit për ligjet që miratohen me shumicë të thjeshtë të votave.

“Përsa i përket krijimit të kuorumit në sesionin e ri vjeshtor, AAK do i votojë marrëveshjet ndërkombëtare që duhet 2/3 e deputeteve, për ligjet që miratohen me shumicë të thjeshtë të votave është obligim i mazhorancës parlamentare që të kujdeset për krijimin e kuromit”, përfundoi deputeti i AAK-së, Pal Lekaj.

Ndërsa, deputeti i VV’së, Gramos Agusholli, sesionin vjeshtor të Kuvendit e quajti arenë shfaqjesh dhe teatër protagonizmi, për ata që dëshirojnë të sigurojnë sipas tij edhe një mandat si deputetë.

“Unë konsideroj që sesioni  vjeshtor i Kuvendit do të jetë një arenë shfaqjesh dhe teatër protagonizmi, veçanërisht për ata që me ngulm dëshirojnë të sigurojnë edhe një mandat si deputetë”, deklaroi ai.

Tutje ai tha se projektligjet ‘problematike’ nuk do të rikthehen për votim, sepse këto siç thotë ai, kërkojnë nivel të lartë konsensusi.

“Nuk besoj që projektligjet problematike do të rikthehen për votim ose diskutim. Këto çështje zakonisht kërkojnë një nivel të lartë konsensusi, të cilin është vështirë ta arrihet në prag të zgjedhjeve”, tha ai.

Agusholli tha se kuorum ka pasur gjithmonë dhe se shpreson që nuk do të sulmohen në të ardhmen ata që votimin ose mosvotimin e ndonjë projektligji e kanë parim e bindje.

“Kuorum ka pasur gjithmonë, përveç në një rast të veçantë. Megjithatë, shpresoj që ne të ardhmen nuk do të sulmohen ata që votimin ose mosvotimin e ndonjë projektligji e kanë parim e bindje”, përfundoi deputeti i LVV, Gramoz Agusholli.

/GazetaBlic/

Mblidhet kryesia e Kuvendit, ky është rendi i ditës