Lajme

“Do të ishte mirë që Kosova të merrte pjesë në takimin e sotëm Rama-Vuçiq-Zaev”

07/29/2021 23:35
nga:Gazeta Blic

Drejtori i Odës Ekonomike Amerikane, Arian Zeka, ka thënë se do të ishte mirë që dikush nga Qeveria e Kosovës të ishte i ulur në tavolinën e diskutimeve të kryeministrave që u mbajt sot në Shkup për nismën “Ballkani i Hapur”.

Ai ka deklaruar se vetëm në tavolinë mund të shtyhen para edhe interesat e Kosovës

“Oda Ekonomike Amerikane e Kosovës mbështet zotimet e Qeverisë që janë marrë me nënshkrimin e marrëveshjes se 4 shtatorit në Washington të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, nga përfaqësues të Qeverisë së Kosovës. Njëra prej zotimeve të pashmangshme përfshin edhe angazhimin për të funksionalizuar zonën mini-shengen ose një mekanizmi të ri ekonomik”.

“Oda Ekonomike beson fuqishëm në përfitimet që mund të sjell një aranzhim i tillë i ri i bashkëpunimit ekonomik rajonal. Shqetësimet e Qeverisë së Kosovës mund të jenë të arsyeshme, unë megjithatë besoj se vetëm në tavolinën e negocimit, pra vetëm në tavolinën ku ishin të ulur tre kryeministra të shteteve të Ballkanit, mund të shtyhen para edhe interesat e Kosovës. Të qëndruarit larg një nisme të tillë nuk besoj se ofron zgjidhjen e problemit”,ka thënë Zeka në Klan Kosova.