Lajme

DnV jep rezultatet preliminare: VV 48%, PDK 20.84%, LDK 13,49%, AAK 5.73%

12/28/2025 21:15
nga:G B

Në përmbyllje të procesit të votimit, vëzhguesit nga Demokracia në Veprim (DnV) kanë njoftuar se procesi i votimit është mbyllur në kohë në gati të gjitha vendvotimet.

Bazuar në njoftimin e tyre, i gjithë procesi i votimit, që nga hapja e vendvotimeve në orën 07:00 ka rrjedhur në atmosferë të qetë, me disa parregullësi kryesisht të natyrës procedurale e teknike. Votuesit, sipas DnV patën qasje të lirë dhe të barabartë në procesin e votimit.

Rezultatet preliminare sipas DnV-së:

Lëvizja Vetëvendosje – LVV                                         48,01% (Margjina e gabimit +/-1,64%)
Partia Demokratike e Kosovës – PDK                        20,84% (Margjina e gabimit +/-1,38%)
Lidhja Demokratike e Kosovës – LDK                       13,49% (Margjina e gabimit +/-0.82%)
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës – AAK                5,73% (Margjina e gabimit +/-0.83%)
NISMA Socialdemokrate                                              1,70% (Margjina e gabimit +/-0,55%)
Srpska Lista – SL                                                             5,55% (Margjina e gabimit +/-1,81%)
Za Slobodu, Pravdu i Opstanak – SPO                      0,95% (Margjina e gabimit +/-0,53%)\

Pjesëmarrja në votim

DnV raporton se dalja e përgjithshme e votuesve deri në mbyllje të vendvotimeve ishte 45% me margjinë gabimi (+/- 0,76). Në këtë përqindje nuk është përfshirë dalja e votuesve që kanë votuar me kusht dhe atyre që kanë votuar nga jashtë vendit.

Parregullsitë prevalente gjatë procesit të votimit

Procesi zgjedhor, sipas DnV gjatë gjithë ditës është përcjellë me disa parregullsi dhe shkelje kryesisht të natyrës procedurale. Është raportuar për ndërprerje të energjisë elektrike në disa qendra të votimit, por nuk ka pasur incidente serioze, që do të mund të cenonin integritetin e zgjedhjeve.

Ashtu siç edhe është raportuar në intervalet tjera gjatë ditës, problematika kyçe që e ka karakterizuar procesin e votimit lidhet me vështirësitë e votuesve për të gjetur vendvotimin e saktë, përkundër që atyre u ishte ofruar mundësia nga KQZ, që përmes linkut ta konfirmojnë Qendrën e tyre të votimit. Kështu, që nga hapja e vendvotimeve në orën 07:00, vështirësi me lokalizimin e vendvotimit të saktë janë raportuar në pothuajse 2/3-tat e vendvotimeve, ndërsa në 20% të vendvotimeve numri i rasteve të tilla ka arritur deri në 30.

Tutje, Demokracia në Veprim thotë se zbatimi i rregullës që lejon votimin me asistencë vetëm në rastet kur prezantohet dokumenti mjekësor ka bërë që fenomeni i votimit me asistencë të bie ndjeshëm krahasuar me proceset e kaluara zgjedhore. Përgjatë 12 orëve të procesit të votimit, më pak se 1% të votuesve kanë votuar me asistencë. Raste kur asistenca nuk ishte regjistruar sipas rregullave, është hasur në 11% të vendvotimeve, deri në 10 raste.

Deri në orën 19:00, në mbi 30% të vendvotimeve është hasur votim me dokumente me afat të skaduar (deri në 10 raste) ndërsa numri i rasteve kur është fotografuar fletëvotimi është 32 përgjatë gjithë ditës.