Demokracia në Veprim ka shprehur shqetësimin e saj të thellë lidhur me incidentin e ndodhur në Skënderaj gjatë aktivitetit të Lëvizjes Vetëvendosje dhe kandidatit të saj për kryeministër, Albin Kurti, ku disa individë kanë përdorur mjete të forta dhe piroteknike, si dhe është ndërprerë edhe energjia elektrike.
Në reagimin e DNV thuhet se “të tilla akte janë një sulm ndaj lirisë së grumbullimit dhe shprehjes së lirë, duke krijuar një atmosferë tensioni dhe pasigurie që bie në kundërshtim të plotë me parimet themelore të demokracisë”.
“Ne dënojmë çdo formë dhune, provokimi apo ndërhyrje në proceset demokratike, veçanërisht gjatë një periudhe kaq të ndjeshme të fushatës zgjedhore.
U bëjmë thirrje të gjitha palëve që të angazhohen për një fushatë të qetë dhe dinjitoze, ku mbizotëron respekti dhe debati i argumentuar. Për këtë qëllim, theksojmë nevojën që subjektet politike të moderohen në gjuhën dhe tonin që përdorin, duke shmangur diskursin e ashpër që rrezikon të përshkallëzojë tensionet dhe të ndikojë negativisht te qytetarët dhe mbështetësit.
Ftojmë qytetarët, përfaqësuesit politikë dhe sidomos mbështetësit e tyre që të tregojnë maturi, respekt dhe përgjegjësi gjatë kësaj periudhe të rëndësishme, duke kontribuar në krijimin e një klime që promovon pjesëmarrje të lirë dhe paqësore. Zgjedhjet e lira dhe të drejta, një fushatë e qetë dhe një garë e barabartë, janë themeli i një demokracie funksionale. Çdo akt dhune apo presioni dëmton këto vlera të përbashkëta dhe nuk duhet të ketë vend në shoqërinë tonë demokratike”, ka njoftuar DNV.